Maliq - Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Maliqit. I riu u kap teksa lëvizte me makinë në fshatin Sovjan.

Gjatë kontrollit në makinën e të riut blutë gjettën një armë zjarri automatik ndërsa në banesën e tij gjetën edhe një armë gjahu pa leje.

Armët, municioni luftarak dhe makina u sekuestruan si provë materiale.

“Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Sovjani”.

Si rezultat i operacionit, në fshatin Sovjan, Maliq, shërbimet e Policisë konstatuan në një rrugë mes parcelave bujqësore një automjet, në të cilin dyshohej se udhëtonte shtetasi i armatosur, dhe e ndaluan për kontroll.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri tip automatik. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një armë gjahu teke dhe një sasi e vogël municioni luftarak. Sendet e jashtëligjshme, së bashku me automjetin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi B. B., 30 vjeç, banues në fshatin Sovjan, Maliq, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

____________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë