Nikolla: Integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar

Nikolla: Integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar

1697188940_nikolla.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e ka cilësuar një ngjarje prestigjioze për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit, samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë të hënën, për herë të parë jashtë kufijve të BE. Në fjalën e saj në konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”, Nikolla tha se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak.

"Mirë se keni ardhur në këtë konferencë, kushtuar kontributit të parlamenteve në Procesin e Berlinit. Këtë Konferencë e zhvillojmë vetëm pak ditë para Samitit të Tiranës, i cili është Samiti i Parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE. Si i tillë, Samiti i 16 tetorit është një ngjarje prestigjioze dhe domethënëse për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit vitin  që vjen mbush një dekadë. Dhe mund të themi, një dekadë të suksesshme. Qoftë edhe për faktin se në një rajon tradicionalisht të trazuar nga demonët shekullorë të nacionalizmit, të së kaluarës dhe historisë, qeveritë, parlamentet, udhëheqësit dhe institucionet diskutojnë e vendosin jo për të kaluarën, por për të ardhmen.

Gjatë kësaj dekade dhe këtij procesi, në Ballkanin Perëndimor kemi filluar që të ardhmen të mos e projektojmë nëpërmjet errësirës e paragjykimeve të së kaluarës, por këtë të fundit ta ndriçojnë me dritën e të ardhmes së përbashkët në familjen evropiane. Në emër të kësaj të ardhme evropiane, duhet të ngrihemi dhe po ngrihemi mbi mëritë e trashëguara.  Ky metabolizim i ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian duhet, dhe ne fakt ka filluar të krijojë, një proces te ri metabolizimi  edhe në marrëdhëniet mes vendeve tona. Le të avancojmë në këtë proces.

Ne, parlamentarët shqiptarë, e kemi të qartë se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak. Është një qëllim dhe një proces për të cilën ka konsensus të plotë mes forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë. Konsensusi parlamentar është një parakusht që parlamentet të garantojnë legjitimitetin demokratik, dimensionin gjithëpërfshirës të procesit të integrimit si edhe sinergjinë e bashkëpunimit mes parlamenteve, qeverive, institucioneve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve. Unë vlerësoj rolin dhe kontributin e Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, si dy struktura të Kuvendit ku zhvillohet debati politik dhe jetërsohet bashkëpunimi parlamentar dhe do të vijoj të mbështes debatin, bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në funksion të këtij procesi, përmirësuar ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me qëllim fuqizimin e rolit të Kuvendit në këtë proces. Këto përmirësime po rrisin edhe rolin e Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Ky proces u pasua edhe nga ri-inxhinierimi i strukturës së shërbimeve parlamentare, duke krijuar Shërbimin e Integrimit Evropian si një shërbim i ri në Kuvend.   Konsensusi politik e parlamentar mbi integrimin mbështetet nga konsensusi i gjerë qytetar, publik e mediatik. Nuk ekzagjeroj kur pohoj se mbështetja popullore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është më e madhe se e çdo populli tjetër në rajon e më gjerë. Etja popullore e qytetarëve shqiptarë, por edhe të rajonit për tiu bashkuar familjes evropiane është më e madhe se pengesat që mund të ngrihen nga forca  që nuk e duan destinacionin perëndimor të vendeve tona. Prandaj, në emër të saj, ne në Shqipëri po përshpejtojmë reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese.

Parlamentet nuk janë vetëm udhëheqës, por edhe protagonistë të procesit të integrimit. Ne në Kuvendin e Shqipërisë e kemi kuptuar se angazhimi dhe përkushtimi për të avancuar e thelluar reformat, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të luftuar dhe nxjerrë nga trupi i shëndoshë i shoqërisë dhe institucioneve kulturën e pandëshkueshmërisë, sipas parimit “Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është poshtë ligjit.”, janë premisa për tëmerituar udhëheqjen e procesit të transformimit evropian të vendeve tona. Aktualisht, siç po e konstatojmë të gjithë, qendra e gravitetit të proceseve dhe veprimtarive integruese të zhvendoset nga Brukseli në rajon. Ky është një nder, por edhe përgjegjësi për vendet tona. Është një ushtrim jo i lehtë, por Shqipëria dhe shumica e vendeve të rajonit po e përballojmë atë me sukses. Samiti Bashkim Evropian-Ballkan Perëndimor i Tiranës më 6 dhjetor 2022 dëshmoi qartësinë, vendosmërinë dhe partneritetin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Kryesimi nga Shqipëria i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 po  rikonfirmon kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe evropianizimi në rajon, por edhe mbështetjen e shumicës sëvendeve të rajonit për aspiratën tonë të përbashkët drejt familjes evropiane. Sinqeriteti, përkushtimi dhe arritjet tona kam përshtypjen se janë më të dukshme se vullneti i Bashkimit Evropian për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor një pjesë të tij të natyrshme. Nga ana tjetër,  qëndrimi i disa vendeve anëtare të BE-së duhet të jetë po aq i qartë dhe po aq i vendosur sa edhe i institucioneve evropiane që ndjekin e monitorojnë proceset demokratizuese dhe integruese në vendet tona. Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht i kurorëzimit me sukses të rrugëtimit tonë evropian.  Sidomos tashmë kur shpejtësia e procesit integrues po rritet në mënyrë eksponenciale dhe sa më shumë që i afrohemi familjes evropiane, aq më shpejt ecim dhe duhet të ecim drejt saj.

Ne, shqiptarët, po përpiqemi sinqerisht dhe seriozisht për të bërë detyrat tona në shërbim të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. E kemi bërë të qartë se kemi vetëm një Plan A për të ardhmen tonë dhe ky është Bashkimi Evropian. Një Evropë e integruar kërkon një rajon të integruar dhe një rajon i integruar kërkon shoqëri të integruara. Shqipëria ka zbrapsur dhe do të vijojë të zbrapsë me sukses çdo përpjekje apo influencë joperëndimore dhe jodemokratike, ngado që të vijë ajo, nga brenda apo jashtë rajonit, për të dëmtuar, ngadalësuar, apo devijuar rrugëtimin tonë drejt familjes evopiane. Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të udhëheqë me vendosmëri procesin e integrimit. Këtë besojmë dhe shpresojmë edhe nga parlamentet e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Drejt destinacionit tonë evropian ne mund të ecim me shpejtësi të ndryshme, por me të njëjtin vizion, qartësi e vendosmëri", tha Nikolla. 


Lajmi kryesor:

Soreca: Nevoja e zgjerimit të BE më e madhe se kurrë, Ballkani është pjesë e unionit! Hasani: Të hënën në samitin e procesit të Berlinit rezultate konkrete


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Historia e kremtimit të Krishtlindjeve

Historia e kremtimit të Krishtlindjeve