Ministria e Arsimit pritet të bëjë ndryshime rrënjësore në sistemin arsimor parauniversitar. Paralajmërimin e ka bërë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila është shprehur se pagat e mësuesve do rriten me 40%, ndërsa mbi 20 mijë mësues do testohen për të matur aftësinë e tyre në punë. Deklarata e ministres u bë gjatë një vizite në një nga shkollat e Tiranës. 

"Ne do rrisim rrogat e mësuesve me rreth 40%. Aktualisht një mësues paguhet me 45 mijë lek të rinj, ndërsa sipas planit të qeverisë dei në vitin 2021 pritet që paga të shkojë në nivelin e 63 mijë lekëve të rinj", u shpreh Nikolla. Ndër të tjera Nikolla ka folur edhe për akreditimin e universiteteve, temë e cila ngjalli shumë debate në radhët e Universitetit të Tiranës. Nikolla doli në mbrojtje të raportit të akreditimit të bërë publik nga agjencia britanike.

Sipas Nikollës, raportet e agjencisë britanike për vlerësimin e arsimit të lartë do të shërbejnë për t'i kthyer këto në institucione që duhet të njohin të vërtetën me të cilën përballen.

Nikolla shpall “Mësuesin më të mirë të Vitit”
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka shpallur sot “Mësuesin më të mirë të Vitit”, i cili ndahet për herë të parë në Shqipëri. Mësuesja e gjuhë – letërsisë në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”, Dhurata Myrtollari, do të përfaqësojë Shqipërinë në fazën tjetër të konkursit për “mësuesin global”.

Ndër të tjera ministrja Nikolla tha se 2200 mësues do të nisin trajnimet për t’u kualifikuar sipas nevojave që kanë për zhvillimin sa më cilësor të procesit të mësimit. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se ky proces do të nisë brenda 100 ditëve të para dhe më pas do të përfshijë 20 000 mësues në të gjithë vendin.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com