TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Egjiptit në Shqipëri, Mohamed Mustafa Heider.

Nikolla vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis të dy vendeve dhe e vlerësoi Republikën e Egjiptit si një partner të  rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit  në Lindjen e Mesme.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, nënvizoi Nikolla, nuk i përgjigjet nivelit të marrëdhënieve politike. Shqipëria mirëpret investimet egjiptiane dhe bashkëpunimi mund të zgjerohet në sektorët e energjisë, transporit ajror e detar, bujqësisë, turizmit etj.

Nikolla u shpreh se intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe do t’i shërbejë edhe intensifikimit të bashkëpunimit parlamentar dhe përsëriti ftesën për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Hanafy Ali El Gebali, të vizitojë Shqipërinë.

Ambasadori Mohamed Mustafa Heider falenderoi Nikollën, për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vuri në dukje se do të punojë për fuqizimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Egjiptit. Në themel të miqësisë midis dy vendeve qëndron edhe kontributi i Diasporës shqiptare për zhvillimin e Egjiptit. Egjipti gjithashtu vlerëson rolin e Shqipërisë si një faktor sigurie, paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë.