TIRANË- Brenda Partisë Demokratike zyrtare ka nisur lufta e dytë për vulën e partisë, kësaj radhe bëhet fjalë për përdorimin e vulës, ku palët po luftojnë se kush do mbajë kompetencat e përdorimit. Kryesia e Partisë Demokratike me një vendim të marrë më datë 18 korrik 2023, ka vendosur që vulën e partisë t’ia marrë sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhit dhe t’ia kalojë kompetencën për prodhimin dhe përdorimin e saj, sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Indrit Sefës.

Ky vendim është firmosur nga 15 anëtarë të Kryesisë së demokratëve, ndërsa vihet re se Oriola Pampuri ka hedhur firmën dy herë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ky vendim ka ardhur për shkak të situatës së krijuar për procesin zgjedhor të 29 korrikut, pasi nuk vuloseshin dokumente të domosdoshme për këtë proces.

Kjo lëvizje e anëtarëve të Kryesisë që mbështesin Lulzim Bashën, zbulohet pasi Gazment Bardhi konfirmoi për Report Tv se do të mbledhë Këshillin Kombëtar të partisë, pasi 7 deputetë demokratë kërkojnë anulimin e zgjedhjeve për kreun e PD dhe dërguan një relacion me zbulime, që sipas tyre tregojnë se gara e 29 korrikut për kryetarin e ri është shpallur në mënyrë të paligjshme.

Përmes kësaj lëvizje, këta anëtarë të kryesisë po tentojnë që t’i heqin kompetencat Gazment Bardhit. Ky i fundit, në një reagim për Report Tv, pasi u publikua vendimi i Kryeisë thotë se është një akt qesharak nën efektin e dëshpërimit. Sipas numrit dy të PD-së, vendimi i Kryesisë është marrë pa kuorum dhe se sipas tij Kryesia nuk nuk ka kompetencë për të ndryshuar statutin e partisë.

"Nuk e kam zakon te komentoj veprime dhe akte qesharake dhe nen e efektin e dëshpërimit. Por për kureshtjen tuaj: Vula administrohet sipas nenit 8 të Statutit dhe urdhrit nr. 218, datë 07.11.2019 të Kryetarit të Partisë; ndërsa dokumentimi, arkivimi, dhe protokollimi behet sipas nenit 21 të Statutit të Partisë dhe rregullave të miratuara me udhëzimin nr. 8, datë 19.01.2020 të Sekretarit të Përgjithshëm. Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetem dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund tju vij këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë", tha Bardhi për Report Tv. 

Me këtë vendim të Kryesisë, synohet që vulën e partisë të mos e administrojë më sekretari i Përgjithshëm, siç ka qenë deri më tani. Kjo përplasje në Partinë Demokratike vjen teksa Lulzim Basha po përpiqet të kthehet në drejtimin e partisë dhe më 29 korrik do të mbahet gara për zgjedhjen e kryedemokratit të ri.

Tashmë kjo është ‘lufta’ e dytë mes demokratëve për çështjen e vulës. Përveç betejës më grupin e Sali Berishës prej gati 2 vitesh, nis një tjetër përplasje brenda vetë PD zyrtare se kush do marrë përdorimin e vulës. Në betejën mes Rithemelimit dhe PD-së, Gjykata e Apelit vendosi më 3 mars 2023 rrëzimin e vendimit të Agron Zhukrit (që i dha vulën e PD-së Sali Berishës) dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë me trupë tjetër gjykuese. Pas këtij vendimi, vula, sigla, logoja e Partisë Demokratike i mbetën PD zyrtare, por një tjetër luftë u nis mes dy kampeve të krijuara brenda PD-së.

Vendimi i kryesisë për ti kaluar vulën Indrit Sefës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:25
Firmosi dy herë në vendimin për t’i marrë vulën Bardhit, reagon Oriola Pampuri: Ishte keqkuptim, duan të heqin vëmendjen nga disfata e radhës

1674642098_12006306159f266cbf1b.jpeg

Deputetja demokrate Oriola Pampuri ka reaguar pasi ka firmosur dy herë vendimin e kryesisë për kalimin e vulës së partisë nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi tek sekretari Ligjor, Indrit Sefa. Në një reagim në Facebook, Pampuri shkruan se ka firmosur dy herë, por është një keqkuptim dhe se nuk është bërë për të plotësuar kuorumin e nevojshëm.

Pampuri shkruan se regaimet për faktin se ajo ka firmsour dy herë po bëhen me qëllim nga ata që kërkojnë të fshehin disfatën e radhës në Rrogozhinë, apo nga ata që janë futur nga ‘dritarja’ në grupin e Foltores.

"Një sqarim i detyruar: Shoh reagimet dhe spinet mbi foton qe qarkullon ne rrjet me firmën time, ndaj dua te sqaroj ata qe mund te jene keqkuptuar: PO, eshte firmosur dy here, JO, nuk ka vlere te shtuar apo nuk ploteson ndonje numer te nevojshem ne kryesi, pasi vendimet dhe votimet zbardhen nepermjet regjistimit te mbledhjes, qe nuk lejon askend nga ne te gaboje.

Firma ime,e perseritur gabimisht per shkak te nje keqkuptimi mbi shkresat e ndryshme qe u nenshkruan ate dite, eshte gjethja e fikut pas te ciles disa kerkojne te fshehin disfaten e radhes te revolucionit, me kosto te madhe per opoziten, e disa te tjere kerkojne te fshehin futjen nga dritarja ne foltore, permes proces skutash, ku flitet çdo dite per statutin dhe veprohet ne shkelje te tij. Per kedo qe eshte i interesar per aktet e kryesise, le t’i drejtohet institucioneve, nga te cilat doni titujt qe mbani, por jo peshen e pergjegjesise, te ciles i ikni kur duhen marre vendime te veshtira.

U jam mirenjohese demokrateve dhe u kerkoj ndjese per shfaqjen e radhes qe u gatua per te kapur ndonje titull lajmesh apo per te bere pis procesin e zgjedhjeve te 29 korrikut. E di qe jeni lodhur, e ndjej merzine tuaj dhe deshiren per te dale nga kjo gjendje amullie, nga e cila perfiton vetem Rama. Ndaj ju ftoj t’i leme menjane kotesite dhe sherret e atyre qe kane hallin e listave dhe vendet e tyre ne to, e te qendrojme me vendosmeri ne mbrojtje te vlerave per te cilat kemi sakrifikuar te gjithe bashke, te bindur se PD do te jete alternativa më e mire vetem ne partneritet te ngushte me ShBA, BE dhe GB, dhe ne beteje frontale me korrupsionin dhe metastazat e tij te pangjyra", shkruan Pampuri.