Në kuadër të dëgjesave publike me fermerë, Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, është ndalur sot në Pogradec, ku ka garantuar banorët e prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit, se nuk do të mbesin pa mbështetje nga qeveria.

“Ne jemi duke verifikuar në terren së bashku me ekipet tona të Ministrisë së Bujqësisë dhe me bashkitë, edhe me Bashkinë e Maliqit, në fazën e evidentimit të çdo dëmi në bujqësi, në mënyrë që ta adresojmë pranë qeverisë shqiptare. Siç e keni parë, në takimin që u kryesua nga kryeministri u vendos një paketë financiare për të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet që kanë ndodhur pak ditë më parë”, tha Salla.

Ministri Salla garantoi se procesi i evidentimit të dëmeve do të jetë i plotë dhe transparent, duke u bazuar si në verifikimet e ministrisë ashtu edhe në raportimet e bashkive.

“Do të ketë dëmshpërblime. Ministria e Bujqësisë do të jetë në një proces të plotë evidentimi, jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga bashkitë, për të ditur saktësisht dëmet dhe mënyrën se si do të procedohet për t’i mbështetur fermerët. Ne do të vazhdojmë të investojmë në argjinatura, kanale dhe infrastrukturë mbrojtëse, për të pasur një bujqësi më të shëndetshme”, u shpreh ministri.

Duke folur për politikat mbështetëse, Salla vuri theksin tek fakti që në prag të skemës kombëtare të mbështetjes, për herë të parë po zhvillohen dëgjesa publike me fermerët.

“Ne jemi para skemës kombëtare. Këto janë paratë e fermerëve, janë fondet e akorduara për Ministrinë e Bujqësisë. Kemi një paketë prej 52 milionë eurosh që është për fermerët. Ne po i dëgjojmë fermerët, problemet, shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, për t’i përafruar me legjislacionin e BE-së, ku ne duhet të akreditohemi dhe të veprojmë në çdo bazë ligjore”, tha Salla.

Në përfundim të vizitës, ministri njoftoi se dëgjesat publike do të vijojnë edhe në qytete të tjera.

“Nesër do të jem në Korçë. Unë jam pranë fermerëve për t’i takuar, për t’u shpjeguar dhe për të mos i lënë vetëm”, përfundoi ai.