Nis 'Festa e Birrës' në qytetin e Korçës, këtë vit do të ketë disa risi!

Nis 'Festa e Birrës' në qytetin e Korçës, këtë vit do të ketë disa risi!

Festa e Birrës në Korçë

Në Korçë ka nisur ngjarja më e madhe verore që zhvillohet vit për vit, Festa e Birrës. Ky event do të zgjasë 5 ditë, ku nis sot me datë 17 deri më 21 gusht. Korça tashmë identifikohet me Festën e Birrës, kur turistë, vizitorë e banorë mblidhen për të festuar me muzikë, kërcime, ushqim dhe sigurisht, birrë. Në këtë festë do të performojnë disa artistë të njohur shqiptarë si Aurela Gaçe, Capital T, Eugent Bushpepa, por edhe një këngëtar grek, Kostandino Argjiros.

Kryetari i Bashkisë Korçë Sotiraq Filo në një deklaratë për mediat tha se argëtimi do të jetë i garantuar, ndërsa njoftoi edhe risitë e këtij viti. Filo tha se skena do të jetë më e madhe, të premten e të shtunën do të ketë after party, ndërsa e rëndësishme është edhe pjesëmarrja e këngëtarit grek Kostandino Argjiros më 20 gusht.

“Është një festë që ka një historik 16 vjeçar të organizimit të saj. Festa në pesë netët e saj, do të ketë një pjesëmarrje prej më shumë se 10.000 mijë vetë në secilën prej netëve. Festa edhe këtë vit do të organizohet në dy vendndodhje, në Pazarin e Vjetër të Korcës dhe tek Terminali i Fugonave, ku do të jetë dhe skena kryesore. Kjo festë është organizuar nga Bashkia e Korçës prej 16 vitesh dhe është një festë që ka një impakt të dyfishtë, gjallëron jetën në qytet në të pestë netët, por është dhe një produkt turistik i cili sjell dhe shumë vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin të bëhen pjesë e kësaj feste dhe të frekuentojnë qytetin e Korcës. Këtë e dëshmon dhe fakti që të gjitha kapacitet akomoduese të Korçës apo dhe fshatrave turistike të saj, në netë të caktuara dhe qyteteve rreth Korçës mbeten të prenotuara.  Skena është më e madhe se vitet e tjera, e dyta është organizimi i të premtes dhe të shtunës në një after party. Dhe risia kryesore do të jetë patjetër pjesëmarrja ditën e shtunë në datën 20 e këngëtarit të njohur Grek, Kostandino Argjiros që vjen për herë të parë në Shqipëri, në festën e birrës në Korçë”, u shpreh Filo.

Edhe Policia në Korçë ka njoftuar masat në mënyrë që evenimenti të jetë sa më i rregullt. Masat përfshijnë numër të shtuar të policëve që patrullojnë dhe kontrollojnë, orientim të trafikut, menaxhim të lëvizjes së automjeteve dhe vendeve të parkimit në zonat që do të jenë më të populluara.

“Në kuadër të këtij aktiviteti do të kryen patrullime dhe kontrolle të përbashkëta, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake. Nga shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore do të merren masa për menaxhimin e trafikut gjatë lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve, në rrugët: “Midhi Kostani”, “Kiço Greço”, “Marigo Pozio”, në pikat e hyrjes në Terminalin e Autobusave, tek Pazari i Vjetër, si edhe në zonat e tjera përreth ku zhvillohen aktivitetet. Orientimi i lëvizjes së automjeteve për në vendet e përcaktuara, për parkim, nga Bashkia Korçë, kryesisht përreth Terminalit të Autobusave dhe tek Pazari i Vjetër, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet bashkiake. Në bulevardet kryesore dhe në akset rrugore që lidhin Korçën me rrethet e tjera, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë. Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin pije alkoolike gjatë drejtimit të mjetit. Shërbimet e Rendit do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si nënstacionet elektrike dhe Ujësjellësin, për të forcuar masat e ruajtjes së tyre”, njoftoi policia.

Si çdo vit, Festa e Birrës jo vetëm argëton pjesëmarrësit por edhe ndihmon në zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të zonës.

Festa e Birrës do të zhvillohet në datat 17.08.2022 deri më 21.08.2022, në ambientet e brendshme të “Terminalit të Autobusave”, në lagjen nr. 17, si dhe në ambientet e Pazarit të Vjetër, Korçë, nga ora 20:00 deri në orën 01:00, do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës.

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen