/ATSH-Z.Tosku/-Nevoja e pandërprerë për një mjedis të pastër bëri që sot "Udhëtimi i Gjelbër" të nisë për herë të katërt.
Nën sloganin "Udhëtimi drejt një bregdeti të pastër", kjo fushatë sensibilizuese ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe adresimin e problemeve që ka mjedisi në të cilin të gjithë jetojmë e pjesë e të cilit jemi.

Aktivistët janë mbledhur në Sheshin Nënë Tereza nga ku janë nisur drejt Shkodrës për takimin e parë të dëgjesave publike që do të zhvillohen me qytetarët në të gjithë vendin në lidhje me problemet mjedisore.

Ndërsa në 22 maj do të zhvillohet aksioni kombëtar i pastrimit të bregdetit, kohë gjatë së cilës një grup vullnetarësh do të udhëtojnë për dy javë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Muaji maj në të cilin kemi hyrë prej disa ditësh, përkon edhe me çeljen e sezonit turistik dhe një nismë e tillë do t'i sillte vendit një shërbim të rëndësishëm per pastrimin, duke ndërruar tashmë edhe pamjen karakteristike të një mjedisi, ku rrallë "vihet dorë".

Nisma përsëritet për herë të katërt dhe synon t'u tregojë qytetarëve që zakonisht ndodhen në pozitat e vëzhguesit se që aksionet në dobi të shoqërisë të kenë sukses, ato kanë nevojë të mbështeten dhe të gjejnë solidaritet. Kur gjejnë solidaritet, kanë prirjen të përsëriten dhe kur përsëriten kthehen në pjesë të edukimit shoqëror me një nga vlerat e qytetarisë.

Nismat e mëparshme kanë treguar se kur ndryshimi është i prekshëm dhe kur ndikon në cilësinë e jetës së gjithëkujt, është i mirëpritur dhe gjen shpejt mirëkuptim në terren. Këtë vit fushata synon të sensibilizojë qytetarë jo vetëm në komunat bregdetare, por edhe tek ata që jetojnë në zonat liqenore të vendit, si në Kukës ashtu dhe Pogradec.
Aktivistët e kësaj fushate kanë përfshirë në kalendar takime të tipit "open air" nëpërmjet të cilave synojnë të ftojnë qytetarët të ndërgjegjësohen për aspektet mjedisore të cilat duhet të jenë në qëndër të shqetësimit të të gjithëve. "Udhëtimi i Gjelbër 4" do të shoqërohet me një seri aktivitetesh gjithëpërfshirëse që do të jenë në shkolla, gjimnaze dhe universitete për të diskutuar me të rinjtë dhe mësuesit për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, kontributit në komunitet dhe vullnetarizmit.
Ndërkaq, të tjera organizime do të jenë takime të hapura, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë që lidhen drejtëpërdrejtë me çështje të edukimit apo që kanë në qendër kujdesin ndaj mjedisit duke përfshirë drejtoritë Rajonale Arsimore, Institucionet dhe Agjencitë Rajonale, qytetarë të ndryshëm, organizata të Shoqerisë Civile, përfaqësues të mediave, komuniteti i biznesit, vullnetarë të ndryshëm etj.