Pashka besimtarët e krishterë i gjen këtë vit në një situatë të pazakontë si pasojë e koronavirusit ku gjithçka është mbyllur dhe të gjithë janë në karantinë. Sot është e diela e Liarit, që besimtarët e përkujtojnë si dita që Krishti hyri në Jerusalem dhe që shënon fillimin e Pashkës për katolikët që kulmojnë të shtunën në mesnatë me Ringjalljen. Dy murgesha me gjethe dafine në dorë, që janë simbol i paqes dhe mbrojtjes, pas lutjeve në kishë përmes mikrofonit të Report Tv përcollën mesazhin e tyre për të gjithë shqiptarët në këto ditë të vështira. "Kurajo se pas vdekjes, vuajtjes ka gjithnjë ringjalle, do të kalojë edhe kjo".

Intervista për Report Tv
Ku po shkoni?
Motër Rita: Ishim në kishë

Çfarë meshe mbajtët?
Motër Rita: Nuk kemi mbajtur meshë pasi është mbyllur gjithçka

Si luten besimtarët?
Motër Rita: Jemi lutur, pasi është e diela e Larit dhe në shtëpi e tyre online ndjekin kremtimet në formë private

Cila është lutja drejtuar perëndisë?
Motër Rita: Lutja më e madhe është që paqja të mbretërojë në zemrat e të gjithë njerëzimit dhe të sjellë një bekim të veçantë Krishti, që sot e përkujtojmë që ka hyrë në Jerusalem si mbret i gjithësisë që të mbretërojë në zemrat tona dhe njerëzimin mbarë.