Nga 23 shkurti deri më 12 prill, mijëra familje ortodokse në Shqipëri do të hyjnë në një periudhë që nuk është thjesht ndryshim ushqimi, por ndryshim ritmi.
Kreshma e Madhe, që paraprin Pashkën, zgjat shtatë javë dhe në pamje të parë duket si një rregull ushqimor: pa mish, pa bulmet, pa vezë, pa peshk (me përjashtime të caktuara), më pak alkool, më pak teprime. Por për shumë besimtarë, kjo periudhë është diçka më shumë.
Është një lloj “pauze” nga e përditshmja.
Në një kohë kur gjithçka është me shpejtësi, puna, lajmet, rrjetet sociale, stresi, Kreshma të fton ta marrësh shtruar. Më pak konsum dhe më shumë vetëkontroll. Për më pak reagim impulsiv dhe më shumë durim.
Nuk është dietë
Në tryezat e familjeve shqiptare ortodokse gjatë këtyre javëve do të mungojnë mishi, djathi, qumështi dhe vezët. Në vend të tyre do të ketë fasule, thjerrëza, perime, oriz, byrekë me zarzavate, fruta të thata, vaj ulliri. Edhe ëmbëlsirat përgatiten pa bulmet.
Por ata që e praktikojnë thonë se pjesa më e vështirë nuk është ushqimi. Është vetëpërmbajtja.Të mos reagosh me zemërim.Të mos përfshihesh në thashetheme.Të falësh dikë me të cilin je zënë. Sipas traditës, Kreshma fillon pikërisht me faljen. Ideja është e thjeshtë: nuk ka kuptim të përmbahesh nga ushqimi nëse nuk përpiqesh të rregullosh marrëdhëniet me njerëzit.
Trupi dhe mendja bashkë
Kreshma shihet si bashkëpunim mes trupit dhe shpirtit. Kufizimi në ushqim është mënyrë për të stërvitur vullnetin. Në një shoqëri ku gjithçka është e disponueshme menjëherë, të thuash “jo” për disa javë konsiderohet një ushtrim i fortë.
Megjithatë, Kisha Ortodokse thekson se askush nuk duhet të dëmtojë shëndetin. Personat e sëmurë, të moshuarit apo fëmijët këshillohen të përshtasin mënyrën e agjërimit sipas mundësive.
Një kohë për reflektim
Në fund të këtyre shtatë javëve vjen Pashka, festa e Ngjalljes. Për besimtarët, rruga deri atje është po aq e rëndësishme sa vetë festa.
Kreshma është një periudhë kur shumë njerëz përpiqen të rishikojnë veten: çfarë duhet të ndryshojnë, çfarë duhet të lënë pas, çfarë duhet të përmirësojnë.
Në një farë mënyre, është një stërvitje për jetën: më pak teprime, më shumë masë; më pak impuls, më shumë vetëdije.
Komente












Duhet shtuar qe mosngrenia e ushqimeve te siperpermendura behet gradualisht dhe jo pernjeheresh.P.sh javen e pare ndalohet bulmeti,te dyten mishi ne mos gaboj,por here pas here lejohet peshku dhe vera sipas udhezimit te kalendarit.Une e kam mbajtur nje here vetem nje jave para Pashke dhe te them te drejten e pata te veshtire,pa ngrene gjithe ato te mira qe numerohen siper.Te themi te drejten,Kreshma eshte 100 here me e veshtire per t'u mbajtur se Ramazani.Ne Ramazan,nuk ha vetem gjate dites,por naten ha cfare te duash,kurse Kreshma te detyron qe kur heq dore nga nje lloj ushqimi sa kohe ajo zgjat,me te vertete qe duhet te heqesh dore,pra do kellqe,prandaj tani e mbaj vetem nje dite,te Premten e Zeze.S.d.q per opinionin tim eshte nje menyrat me te mira dietore.
Përgjigju