SIRI- Nis largimi i armëve kimike nga Siria. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar faktin se anija daneze me sasinë e parë të armëve kimike ka lënë tashmë portin sirian të Latakias.
 
Kjo lëvizje e parë, është konfirmuar nga Kombet e Bashkuara dhe heqja e këtyre armëve kimike të rrezikshme, është hapi i parë i një marrëveshje me OKB-në, për eleminimin e arsenalit nga Siria, brenda mesit të vitit 2014-të.
 
Një tentativë e parë e mbledhjes së armëve, është ndërprerë, pasi funksionarët sirianë nuk arritën të sjellin substancat kimike në pikën e grumbullimit në Portin e Latakia-s.
 
Autoritetet siriane, janë përgjegjëse për ambalazhimin dhe transportimin në siguri të plotë të armëve kimike, nga 12 zonat ku ndodhen, në të gjithë vendin, deri në Portin e Latakia-s. Rusia nga ana e saj ka ofruar kamionë të blinduar, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar mbajtës dhe lokalizues me GPS.
 
Ndërkohë edhe Kina ka dërguar 10 ambulanca dhe telekamera vëzhgimi, ndërsa Finlanda ka kontribuar duke dërguar një grup të ndërhyrjes së shpejtë, në rast aksidentesh.
 
Danimarka dhe Norvegjia, po ofrojnë anije mallrash dhe eskorta ushtarake për transportimin e substancave kimike, në një port italian, të pacilësuar ende saktësisht, por nëse i referohemi kësaj harte, mendohet të jetë një zonë mes Rajonit të Puglia-s dhe Rajonit të Basilikatës, në Itali.

harta armet kimike
Nga destinacioni i tretë që është Italia, armët kimike do të karikohen në Anija e Administratës Detare amerikane Cape Ray në det të hapur, në mesdhe. Në brendësinë e kësaj anije, do të kryehet edhe procesi i hidrolizës i projektuar nga Departamenti i Mbrojtjes për neutralizimin e komponentëve të armëve kimike me ujë dhe detergjente.
 
Lëvizja e armëve kimike nga Siria, u bë në kuadër të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, si rrjedhojë e sulmeve me gaz sarin, 21 gushtin e vitit të kaluar në periferi të Damaskut. Gjatë këtyre sulmeve, humbën jetën rreth 1400 persona dhe për këtë, Perëndimi akuzoi qeverinë siriane. Por në atë kohë, presidenti sirian Bashar Al-Assad, mohoi përgjegjësinë e tij, duke akuzuar rebelët për një sulm të tillë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)