Ka nisur me përplasje tek Ministria e Brendshme, protesta e radhës e opozitës. Qytetarë dhe simpatizantë të mbledhur para ministrisë, para rrethimit me policisë të zonës së pedonales që është bllokuar për kalimin e deputetëve që shkojnë në Kuvend, kanë nisur tentativat për të çarë kordonin e sigurisë. Janë neutralizuar menjëherë nga forcat e policisë.
Në krye të këtij grumbullimi protestuesish, qëndron ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu. Ai është filmuar nga kamerat në tentativa të vazhdueshme edhe gjatë ditës së sotme për të mos respektuar perimetrin e sigurisë. Efektivët e policisë i janë drejtuar Balliut duke i thënë se nuk është orientuar mirë nga drejtuesit e protestës, dhe se duhet të respektojë perimetrin e sigurisë që policia e Shtetit ka rënë dakord me organizatorët e protestës.
Pas disa përplasjeve të vazhdueshme me forcat e policisë, tubuesit janë larguar drejt bulevardit më tej në rrugën e Unazës për t'ju bashkuar në finale protestuesve para Kuvendit.
Edhe në protestat e mëparshme në këtë zonë janë shënuar incidente, ku të udhëhequr nga Balliu, protestuesit krijojnë përplasje me forcat e policisë.