PRISHTINE, 27 Nentor/ATSH/-Është vënë të enjten gurthemeli i xhamisë në fshatin Kelmend të komunës së Zveqanit, ku ka marr pjesë edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Tërnava tha se është nevojë për ndërtimin e sa më shumë faltoreve që të madhërohet krijuesi, por ndërtimi i kësaj xhamie në Kelmend, është i rëndësisë jashtëzakonisht të madhe.
"Ndërtimi i xhamisë sot këtu ka rëndësi të veçantë sepse themelet e saj do të dëshmojnë se jemi banorë të këtuhit, dhe pavarësisht se kush dhe çka mendon, ne nuk do të lëvizim nga këto troje, duke vazhduar të qëndrojmë, sepse ka qenë dëshirë e zotit që ne të jemi këtu", ka thënë mes tjerash Tërnava.
Ai ka bërë thirrje që të rikujtohet e kaluara, të punohet për një të ardhme sa më të mirë dhe që banorët mos t'i braktisin këto troje kaq të bukura për të marr rrugën e mërgimit.
Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame(BI) në Mitrovicë, Jetish Berisha, tha se populli i Kosovës ka një traditë të gjatë të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare që është shembull për rajonin dhe botën.
Ai ka premtuar mbështetje të fuqishme financiare nga ana e BI-së në Mitrovicë dhe afat kohor të shpejtë për përfundimin e ndërtimit të xhamisë, duke mos precizuar shumën.
Në anën tjetër, Nazmi Kelmendi, banor i fshatit Kelmend, i cili dhuroi 5 ari tokë për ndërtimin e kësaj xhamie, tha se kjo xhami përveç se do t'ua lehtësojë banorëve të këtushëm lutjet, është me rëndësi të madhe sepse po ndërtohet në këtë pjesë të Kosovës./kosovapress/./a.g/












