Nis ngjyrosja e karburantit, ishte
parashikuar të fillonte në korrik

Nis ngjyrosja e karburantit, ishte<br />parashikuar të fillonte në korrik
TIRANE- Duhej të hynte në fuqi që nga 1 korriku, por një vendim i dytë e ka shtyrë aplikimin e shenjimit të karburanteve të territorin e Republikës së Shqipërisë dukë nisur nga 1 gushti. Aktualisht, benzina, nafta dhe mazuti, etj nënprodukte të naftës duhet të tregtohen vetëm pasi të jenë shenjuar me një bojë të posaçme, për çka u është dhënë e drejtë ekskluzive vetëm dy kompanive të huaja.

Qeveria vendosi më parë shtyrjen me një muaj të afatit për nisjen e procesit të shënjimit të naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj. Vendimi i parë përcaktonte si afat për nisjen e procesit datën 1 korrik, por, për shkak të vështirësive të hasura, qeveria ka përcaktuar si afat të ri datën 1 gusht. Që prej ditës së djeshme, teorikisht në të gjitha pikat e prodhimit dhe të tregtimit të karburanteve duhet të vendoset lënda ngjyruese, që dëshmon se produkti që tregtohet nuk është kontrabandë dhe se është brenda standardeve.

Udhëzimi që përcakton procedurat e këtij procesi vendos si detyrim për të gjithë tregtuesit marrjen e këtij shërbimi, pasi përndryshe nuk do të mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Nga nisja e këtij procesi, tregtimi i naftës dhe i nënprodukteve të saj të pashënjuara do të cilësohet kontrabandë dhe si rrjedhojë do të sjellë penalizimin e përgjegjësve. Faza e parë e shënjimit të karburanteve pritet të përfundojë në muajin tetor, ndërsa më pas veprimtaria e koncensionarit do të vijojë rregullisht në vendndodhjet e përcaktuara në udhëzim, ku përfshihen pikat doganore, rafineritë apo depozitat vendase.

Procesi i ngjyrosjes së karburanteve pritet të ketë një kosto të konsiderueshme për bizneset e këtij sektori. Për çdo 1 mijë litra të markuara, duhet paguar një tarifë plus 614 lekë, pa llogaritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Shtimi i kostos për bizneset e këtij sektori pritet të reflektohet edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve në mbarë vendin, çka sjell më pas edhe efekte zinxhir në ekonomi.
 
BIZNESI
Shoqata e Hidrokarbureve në një letër drejtuar Autoritetit të Konkurrencës i kërkoi këtij të fundit që të hetojë monopolin e krijuar me koncensionin e markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë. Shoqata e cilësoi të padrejtë këtë monopol, si dhe të panevojshëm shërbimin shtesë të markimit të karburanteve, që rrezikon rritjen e mëtejshme të çmimeve të karburanteve.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve vlerëson se kompania që ka fituar koncensionin krijon dhe mban një koncension që mbetet absolutisht monopol në këtë sektor dhe se tarifa e caktuar për këtë shërbim, nga 200 lekë/1.000 litra që ishte paraqitur nga ofertuesit, është finalizuar në shumën 614 lekë/1.000 litra karburant, ose, e konvertuar në ton, do të thotë 6,5 euro/ton karburant. Kjo tarifë është shumë më e lartë se sa vetë fitimi i kompanive, matur për njësi.

Shoqata i ka kërkuar Ministrisë së Financave që në fazën e nënshkrimit të kontratës që të anulonte këtë vendim. Shoqata e Hidrokarbureve i kërkon tani Autoritetit të Konkurrencës ndërhyrjen e menjëhershme për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Dhënia me koncension e markimit të karburantit shihet jo vetëm si e panevojshme nga Shoqata e Hidrokarbureve, por edhe si një kosto shtesë e cila do të pasqyrohet në treg. Qeveria i jep një kompanie të huaj 15 milionë euro në vit, për një shërbim që deri tani kryhej vetë nga firmat që tregtonin naftë dhe deri tani këto para i merrte buxheti i shtetit. Luigj Aliaj, në një prononcim për median, tha se markimi i karburanteve në gjithë botën kryhet pa asnjë lloj pagese, vetëm në vendin tonë qeveria e jep këtë shërbim kundrejt pagesës.

PROCESI
Shoqata e Hidrokarbureve më datë 27 maj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shpalljen të papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe shfuqizimin e VKM nr 200 datë 13 mars “Për miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërisë “Global Fluids International” dhe “Petroleum Consulting Partners A.G”.

Kompania koncesionare “Global Fluids” e mori licencën për markimin e karburanteve, në shkelje të ligjit. Dhe pse ligji parashikon që kontratat koncensionare duhet të miratohen në Parlament, qeveria vendosi ta përjashtonte atë në vendimmarrje, për shkak se opozita, por dhe grupet e interesit, ishin shfaqur hapur kundër këtij koncensioni, i cili, mbi të gjitha, rëndonte xhepin e qytetarëve shqiptarë. Kontrata u miratua direkt nga qeveria.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN