TIRANË,17 Dhjetor / ATSH / - Në kuadër të Fushatës së Pyllëzimit, filloi mbjellja e  mbi 16 mijë fidanëve të rinjë në zonën "Zalli i Gjanicës", në aksin rrugor Fier- Ballsh pranë  lumit Gjanicë.
E pranishme në këtë aksion për mbjelljen e fidanëve ishte  Zv/Ministrja e Mjedisit Djana Bejko e cila inspektoi zonën dhe punën e bërë. Zv./Ministrja Bejko u shpreh se: "Po vijojmë fushatën e pyllëzimit të nisur me 2 dhjetor.  Pyllëzimet po kryhen në kuadër të Task Forcës të ngritur enkas për këtë qëllim nga qeveria dhe të drejtuar nga Ministria e Mjedisit. Synojmë që deri në fund të muajit mars të mbjellim 500 mijë fidanë në të gjithë vendin duke treguar edhe njëherë se qeveria shqiptare po kujdeset dhe po investon për mjedisin shqiptar duke i dhënë rëndësinë që asnjë qeveri e mëparshme nuk ia ka dhënë".
Në mbjelljen e fidanëve të llojit akacie morën pjesë 100 ushtarë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të rinj vullentarë si dhe punonjës të Shërbimit Pyjor të qarkut Fier.  Gjatë ditës së parë u mbollën 4 mijë fidanë ndërsa pjesa tjetër e fidanëve do të mbillet në ditët në vijim
Zona prej 5 hektarësh pranë lumit të  Gjanicës është pjesë e ekonomisë pyjore e shkatërruar vite më parë duke sjellë për pasojë dëmtimin e shtratit të lumit në këtë zonë.
Fushata e pyllëzimit ka për qëllim përmirësimin e sipërfaqeve të degraduara pyjore, frenimin e fenomeneve të erozionit por edhe përmirësimin e peisazhit dhe rehabilitimin e disa prej vlerave natyrore që janë dëmtuar gjatë viteve nga prerjet dhe shkatërrimet./a.g/