/ATSH / -Harilla Koçi/ - Kanë nisur punimet për riparimin e dëmtimeve në segmentin rrugor Vlorë-Qafa e Llogorasë, ku ishte krijuar një situatë problematike për shkak të shkarjeve masive të tokës, si pasojë e reshjeve gjatë stinës së dimrit.
Burime zyrtare nga Këshilli i Qarkut bënë të ditur për ATSH-në se, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Gjirokastër, u miratua projekti dhe fondi përkatës, që do të mundësojë kthimin e normalitetit në këtë segment rrugor, përpara nisjes së sezonit turistik veror.
Ky segment është dëmtuar në 5 pika, në një gjatësi prej 1.3 km, çka ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, ndërhyrja në kohë parandalon edhe zgjerimin e mëtejshëm të pjesës së dëmtuar dhe rëndimin e situatës.
Segmenti rrugor Vlorë-Qafa e Llogorasë, është pjesë e aksit që përshkon bregdetin jonian, një nga zonat turistike më të rëndësishme në vend.
Gjatë sezonit veror, në këtë aks që lidh Sarandën me Vlorën dhe gjithë pjesën tjetër të vendit, regjistrohet një fluks i jashtëzakonshëm automjetesh.
Mijëra turistë vendas dhe të huaj synojnë të kalojnë pushimet në këtë zonë bregdetare me vlera të rralla natyrore.
Punimet për riparimin e segmentit të dëmtuar pritet të përfundojnë brenda muajit maj.