Në mungesë të mbështetjes nga strukturat qendrore të Mbrojtjes Civile, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve në Lezhë, në bashkëpunim me Bashkinë Mirditë, kanë nisur vetë punën për rivënien në funksion të ujësjellësit, i cili u dëmtua nga rrëshqitja e një masivi shkëmbor, rreth 400 metra poshtë ujëmbledhësit të Bargjanës, në zonën e Fanit.
Pas normalizimit të situatës nga rrëshqitja e gurëve, punëtorët, në kushte mjaft të vështira dhe të rrezikshme për shkak të terrenit malor, janë angazhuar për riparimin e tubacioneve të dëmtuara. Puna po vijon prej dy ditësh, ku në ndihmë të institucioneve përgjegjëse kanë shkuar edhe specialistë të sektorit privat, si saldatorë dhe manovratorë.
Drejtori i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve në Lezhë, Zef Maçi, bën të ditur se me këtë ritëm pune synohet që brenda ditës së martë ujësjellësi që furnizon me ujë qytetin e Rrëshenit dhe fshatrat përreth të rivendoset në funksion, me qëllim furnizimin me ujë të pijshëm të zonave ku aktualisht mungon.
Ujësjellësi i Mirditës doli jashtë funksionit në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit, pas rrëshqitjes së një masivi shkëmbor, i cili solli dëmtimin e tubacionit prej çeliku në një gjatësi prej 85 metrash, si dhe e spostoi atë rreth 100 metra nga aksi i magjistralit kryesor.
Pas situatës së krijuar, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Lezhë aplikoi zgjidhje teknike alternative për furnizimin me ujë të qytetit të Rrëshenit.
Komente








