Pamje dramatike vijnë nga Mirdita, ku masivi shkëmbor ka rrëshqitur nga mali, duke dëmtuar rëndë tubacionin prej çeliku që furnizon me ujë qytetin e Rrëshenit dhe fshatrave përreth.
Ky është tubacioni kryesor që sjell ujin nga ujëmbledhësi në depot e qytetit, me gjatësi, 85 metra. Sic shihet në pamje, tubi prej celiku është këputur dhe spostuar për rreth 100 metra nga linja kryesore. Zona është e paarritshme për automjetet, me pjerrësi të madhe që e bën ndërhyrjen të pamundur.
“Linja e furnizimit me ujë Bargjané-Rrëshen, është démtuar në zonë e pjerrët malore shkëmbore, konkretisht rreth 300 metra poshtë kaptazhit të Bargjanës dhe afro 400 metra mbi hidrocentralin, që ndodhet në anë të autostradës së “Rrugës së Kombit”, tha Zef Maci, drejtor i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë.
Shoqeria Rajonale e Ujesjellesit ne Lezhe qe mbulon edhe Mirditen kanë kërkuar ndihmën e Emergjencave Civile dhe të Ushtrisë. Riparimi i tubacionit do të kërkojë përdorimin e helikopterëve dhe logjistikë të specializuar, tha drejtuesi I ketij institucioni.
“Është e domosdoshme ndërhyrja, por aktualisht kushtet e terrenit dhe rrëshqitjet e vazhdueshme e bëjnë riparimin të pamundur. Kemi kerkuar nga Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura mbeshteje me logjistikë”, tha Maci.
Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizime bën të ditur se për 6300 banorët e qytetit të Rreshenit është gjetur një zgjidhje e përkohshme e furnizimit me ujë me orare të reduktuara ndërsa banorët rreh 3 mijë banorë në fshatra janë pa ujë të pijshëm prej 3 ditësh.
Reagimi i plotë i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime në Lezhë
Përshëndetje, duke ju falënderuar për pasqyrimin e kësaj situate të vështirë dhe mbështetjen, po ju dërgoj një informacion të shkurtër si më poshtë:
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Lezhë Sh.a, Njësia e Shërbimit Ujësjellës Kanalizime Mirdite, me date 05.12.2025 rreth orës 1, pas mesnate, është përfshirë nga një defekt i rëndë dhe i pazakontë.
Linja e dërgimit të furnizimit me ujë Bargjanë- Rrëshen, tubacion çeliku, Ø 323 mm është dëmtuar në zonën e pjerrët malore shkëmbore e konkretisht rreth 300 m poshtë kaptazhit të Bargjanës dhe afro 400 m mbi hidrocentralin i cili ndodhet në anë të autostradës së "Rrugës së Kombit".
Dëmtimi i linjës së dërgimit të furnizimit me ujë të pijshëm Bargjanë- Rrëshen ka ndodhur nga shkëputja e një masivi malor shkëmbor.
Tubacioni prej çeliku është dëmtuar në një gjatësi prej afërsisht 85 m, është këputur dhe njëkohësisht është spostuar rreth 100 ml nga aksi i magjistralit kryesor.
Zona, vendi ku është dëmtuar ky tubacion, nuk ka rrugë kalimi, ndodhet në një reliev shumë të vështirë malor me një pjerrësi shumë të madhe të mbuluar me shkëmbinj si dhe me rrjedhje të vrullshme të burimeve ujore.
Është e domosdoshme dhe emergjente ndërhyrja e menjëhershme por aktualisht është e pa mundur, pasi kushtet atmosferike janë te pa favorshme dhe rrëshqitjet e masivit shkëmbore malore dhe vërshimi i ujërave vazhdojnë.
Kjo linjë e furnizimit me ujë të pijshëm, e dëmtuar, është magjistrali kryesor i ujësjellësit që ka ndërprerë furnizimin me ujë te pijshëm të qytetit të Rrëshenit dhe fshatrave përreth kësaj zone.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Lezhë sha, ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme duke aplikuar, zgjidhje teknike alternative e për rrjedhoje është arritur furnizimi me ujë të pijshëm pandërprerje qyteti i Rrëshenit me rreth 6300 banore. Aktualisht nuk furnizohen me ujë të pijshëm të gjitha fshatrat e kësaj zone qe ndodhen ne gjurmën e kalimit te tubacionit te Bargjanës.
Ndërkohë për zgjidhjen e këtij problemi me rëndësi jetike janë njoftuar dhe janë angazhuar të gjitha institucionet Shtetërore Qendrore dhe vendore.
Bashkëlidhur po ju dërgoj foto nga terreni të defektit ne fjalë.
Duke te falënderuar
Ing. Zef Maci.
Dr. Ujesjelles Kanalizime Lezhe.
Komente









