Këtë të hënë nis para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit një çështje e pazakontë, e cila do të zhvillohet gjatë ditëve në vijim në kompleksin Justitia. Masa të forta sigurie janë parashikuar për gjykimin e nëntë personave të akuzuar për një nga vrasjet e para mafioze të lidhura me narkotrafikun, që tronditën kryeqytetin belg.
Personazhet kryesorë të dosjes, Franc Gegeli dhe Mikael Qosja, dyshohet se janë pjesë e një klani mafioz shqiptar, i përmendur shpesh në hetime për importimin e sasive të mëdha të kokainës në Evropë. Më 27 nëntor 2020, Ardit Spahiu, 38 vjeç, shtetas shqiptar, u vra në një pritë në rrugën “Condor”, në zonën Molenbeek-Saint-Jean. Rreth orës 17:45, një person i maskuar dhe i armatosur me mitraloz të pajisur me silenciator, sipas dëshmitarëve, qëlloi në breshëri ndaj tij. Në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja dhe nëntë plumba goditën viktimën.
Sipas ekspertizës fillestare të mjekut ligjor, ka shumë gjasa që Ardit Spahiu të jetë ekzekutuar përfundimisht në trotuar, pasi ishte rrëzuar nga plagët. Hetimet tregojnë se edhe viktima ishte e përfshirë në trafikun e drogës, nëpërmjet një klani tjetër shqiptar, klani Alibey, rival i grupit të Franc Gergely-t. Ky konflikt dyshohet se vazhdonte prej vitesh dhe kishte sjellë disa atentate të porositura në Shqipëri. Këto informacione u janë dhënë hetuesve nga familjarët e viktimës, gjatë një komisioni rogator të zhvilluar në atë kohë. Shkaqet e konfliktit ndryshojnë sipas dëshmive: luftë për kontrollin e tregut, vjedhja e një ngarkese prej 50 kilogramësh kokainë, borxhe financiare apo thjesht përplasje personale.
Roli i Sky ECC
Hetimi mbeti për një kohë i bllokuar, derisa autoritetet arritën të dekriptojnë rrjetin Sky ECC, aplikacionin e komunikimit të përdorur gjerësisht nga krimi i organizuar ndërkombëtar. “Ishte sikur të uleshe në tryezën e kriminelëve”, shprehej atëherë një zyrtar i lartë i policisë federale. Dekriptimi i Sky ECC çoi në goditjen e shumë grupeve kriminale në mbarë botën dhe zbuloi edhe komunikime që lidhen me organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut. Këto mesazhe përfshinin shkëmbime midis Franc Gergely-t (i njohur edhe si Franc Copja) dhe personave të tjerë të përfshirë në çështje, tre prej të cilëve janë ende në arrati.
Juristët do të duhet të përcaktojnë motivet e kësaj vrasjeje, nëse të pandehurit shpallen fajtorë.
Franc Gergely u arrestua në shtator 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ekstradua në Belgjikë në dhjetor, në një rast të paprecedentë bashkëpunimi gjyqësor mes Belgjikës dhe këtij vendi të Lindjes së Mesme./ DHnet
Komente











