Rama: Opozita harmoni me Kremlinin, neveri se kërcënon me protesta! SPAK 'i shkon shtat' të hetojë Berishën! Sulmi nga Irani prej MEK? SHBA na e ka borxh

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuari i parë sezonit të ri të emisionit ‘Real Story’ në Report Tv të gazetarit Sokol Balla. Kreu i qeverisë është treguar i ashpër sa i takon opozitës, të cilët refuzon që t’i quajë kundërshtarë. Ai tha se Berisha-Meta janë në harmoni të plotë me Kremlinin, në dëm të shqiptarëve. Të neveritshme, i ka quajtur nga ana tjetër, kërcënimet se në 12 nëntor, protestuesit e thirrur nga ‘Rithemelimi’ do të mësyjnë në Kryeministri për të rrëzuar qeverinë e tij.

“Nuk janë kundërshtarët e mi, por kundër interesave të shqiptarëve, edhe faktet e kanë treguar lidhja e tyre me paratë ruse nuk është një hipotezë, por është një fakt dhe është një lidhje që nuk është shkëputur, qasja, mënyra dhe argumentet dhe përpjekja për të turbulluar me gjithçka Kremlini dëshiron të ndodh në Shqipëri dhe ka një harmoni se si përgatiten gjërat me forca të ngjashme në vendet e tjera, shqiptarëve që janë shqiptar nuk u takon të kenë asnjë ligje me Kremlinin, por këta e kanë. (...)Këta meritojnë neveri dhe asgjë tjetër. Janë thjesht ferra në këmbët e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Rama.

Ndonësë me i tërhequr, Rama sërish ka pasur kritika për punën e SPAK, duke thënë se arsyeja përse njerëzit janë të “zhgënjyer” nga Reforma në Drejtësi, janë pikërisht rezultatet jo aq të pritshme që kanë dhënë institucionet e reja të drejtësisë. E për të përforcuar këtë deklaratë të tij, Rama solli si shembull rastin e Sali Berishës. Ai tha se SPAK i “shkon shtat” që të hetojë Berishën, edhe pse është i shpallur ‘Non Grata’ nga aleati më i madh i shqiptarëve, SHBA me akuzën e korrupsionit, akuzë për të cilën DASH ka prova e fakte konkrete.

“SPAK i shkojnë shtat nga një hetim i thellë dhe i drejtë i figurave më të korruptuar dhe një fuqi që SHBA e ka shpallur ‘Non Grata’ për korrupsion’, tha Rama.

Një vëmendje të madhe në ‘Real Stoy’, ku të ftuar ishin edhe analistët Skënder Minxhozi dhe Edvin Kulluri,  iu kushtua edhe sulmit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, si hakmarrje për strehimin e anëtarëve të organizatës së MEK. Për këtë, Rama është i mendimit se SHBA-ja i ka një borxh për t'i larë Shqipërisë. Strehimi i anëtarëve të MEK, kreu i qeverisë u shpreh se erdhi si një detyrim ndaj aleatëve, për të cilën pati edhe pasoja, si sulmi kibernetik ndaj faqeve online qeveritare dhe sistemit TIMS

“Aleancat nuk janë menu që të pëlqen të marrësh pjatën e parë dhe jo të dytën. Ke detyrimet e tua dhe momentet kur e bën veten të vlefshëm për aleatët e tu më të mëdhenj. Ne ofrojmë shtëpinë tonë, ata duhet të garantojnë jetesën e tyre dhe ju duhet të garantoni sigurinë. Sot është e qartë se ne kemi bërë tonën, ata kanë mbajtur veten ndërsa aleatët tanë kanë një borxh për të larë me ne”, vijoi kryeministri në ‘Real Story’.

Kur kanë mbetur më pak se 6 muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, Rama konfirmoi edhe njëherë Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës, madje është i bindur që socialistët do e fitojnë këtë garë përballë atyre që i ka cilësuar “pjellë që nxjerrin pseudo primaret” e dyshes Berisha-Meta.

 

 

Emisioni i plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:20
Debati për ndërtimin në Tiranë dhe paratë e emigrantëve, Rama: Shqiptarët nuk merren ‘me bar’ në emigracion

Në fund të intervistës në ‘Real Story’ në Report Tv, Rama dhe analisti Edvin Kulluri debatuan në lidhje me ndërtimet në Tiranë. Kulluri tha se nuk ka logjikë ajo që po ndodh me çmimet e ndërtimeve dhe se ka pastrim parash.

Rama u përgjigj se në fakt bëhet fjalë për më së shumti evazion fiskal.

“Idea që ka një konspiracion të madh pastrimi parash është shumë gabuar, pasi këtu ka të ardhura të padeklaruara dhe të ardhura emigrantësh.  Dhe prandaj duhet amnistia fiskale.  Unë nuk mendoj që shumica e shqiptarëve merren me bar jashtë vendit dhe nuk kanë ccuar atje tregun por kanë shkuar atje dhe i shërbejnë një tregu që e kanë gjetur atje. Ish-Kryeministri i Suedisë kur erdhi këtu më takoi dhe më tha që një vend të varfër ku nuk kam parë kurrë një makinë të varfër. Pra, ky vend ka më shumë të ardhura se sa ato që deklarohen”, tha Rama.

Ora 22:54
Pensionistët, Minxhozi: Nuk jetojnë dot pa ndihmën e fëmijëve! Rama: S’kemi shkop magjik! Shteti do falimentonte nëse do jepnim përgjigje pozitive

 

Në studion e ‘Real Story’ në Report Tv, analisti Skënder Minxhozi ka ngritur çështjen e pensionistëve duke thënë se nuk mbijetojnë dot pa ndihmën e fëmijëve. Për këtë, Rama është përgjigjur se nuk ka shkop magjik pasi nëse do të bënin kapërcime, do të çonin shtetin drejt falimentit.

Minxhozi: Isha me një të moshuar, i cili është mbi 80 vjeç. Pas rritjes së pensioneve, tani në 18500 lekë, është diabetik, kardiak dhe me hipertension prej dekadash. Si jeton ky njeri? Vetëm për hir të fëmijëve.

Rama: Normal.

Minxhozi: Jo normal se mund të qëllojë pa fëmijë, i/e ve.

Rama: Atyre që janë pensionistë pa fëmijë, qeveria i bën një tjetër kompensim të faturës së energjisë.

Minxhozi: Nuk mund t’i lypë gjithë kohës para fëmijëve.

Rama: Ne japim çdo vit nga buxheti i shtetit 16 milionë euro vetëm për të kompensuar pensionistët kryefamiljarë tek fatura e energjisë. Kjo dhe rritja masive e listës së ilaçeve të rimbursueshme nuk zgjidhin pozitivisht përgjigjen e pyetjes. Nga ana tjetër s’ka asnjë shkop magjik për të bërë kapërcime të një natyre që do të mund t’i jepnim përgjigje pozitivë. Nëse do e bënim, do falimentonim shtetit.

Minxhozi: Kapërcim është mbijetesë.

Rama: Patjetër.

Minxhozi: Po i bie të vdesë.

Rama: Po nuk po vdes asnjeri. Kjo pyetje s’ka përgjigje të lehtë se do ja kishim dhënë ne. Asnjë shtet s’ka dhënë përgjigje të lehtë.

Ora 22:51
Rama: Veliaj kryetar Bashkie i Tiranës! Do shkrijë çdo pjellë që nxjerrin pseudo primaret

 

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar Erion Veliajn si kandidat për kryebashkiak, teksa ka komentuar edhe ‘primaret’ e Sali Berishës.

“Nuk e di a është Erioni apo jo kandidat, por di që Erioni do jetë kryetar Bashkia, ca do lloj pjellë të nxjerrin pseudo primaret Erioni do e shkrijë”, tha Rama në ‘Real Story’.

Ora 22:46
Protesta e pedagogëve, Rama: Kërcënojnë grevë urie në një kohë kur duhet menduar për të tjerët! E papranueshme kërkesa për rritje pagash

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e pedagogëve në ‘Real Story’ duke thënë se nuk mund të kërcënojnë për grevë urie dhe rritje pagash kur të tjerë kanë më shumë nevojë në këtë kohë krize. Ndërsa kreun e Sindikatës së Pedagogëve vijon ta cilësojë ‘SHIK-s të urbanizuar me non gratën’.

“Kemi një SHIK-s 24 karat i asaj kohe kur SHIK ishte terror urban, të urbanizuar me non gratën me një kërkesë të papranueshme për një rritje pagash përtej rritjes që për pedagogët ishte më e larta se u shfrytëzua dhe buxheti i shtetit dhe i universiteteve. Të dalësh dhe të kërcënosh me grevë urie në një kohë kur duhet të mendosh për ata që kanë më shumë nevojë sesa ti, kështu mendojnë shumica e pedagogëve që nuk i janë afruar kësaj proteste. Kam dhënë opinionin tim se kush bën të tilla akte është në kundërshtim të plotë me profesionin e pedogogut”, tha Rama.

Ora 22:33
Debate në ‘Real Story’/ Minxhozi: Ju e keni sharë SPAK më shumë se Meta e Berisha! Rama: Njerëzit kanë vërejtje për zbatimin e Reformës

 

Në studion e Report Tv, në emisionin ‘Real Story’ nuk kanë munguar debatet mes kryeministrit Edi Rama dhe analistit Skënder Minxhozi.

Skënder Minxhozi: Nëse shikojmë se kush ka sharë SPAK më shumë  s’është as Berisha as Meta jeni ju

Edi Rama: SPAK s’ka dalë mirë se s’ka si dalë mirë. Reforma nuk mund të bëhet pa partnerët, po partnerët nuk kishin shans që ta bënin pa ne, ka qenë vendosmëria jonë

Skënder Minxhozi: Refoma del me 20% të përkrahjes së opinion publik

Edi Rama: Mund të dalë me 5% dhe mund ta them unë, por ndryshimi mes meje dhe atyre që i japin reformës votën kundër, nuk është reforma, po zbatimi i Reformës, dhe performanca e institucioneve të drejtësisë dhe këtu njerëzit kanë vërejtje. Unë e kam thënë, nëse dikush ka pritur që do bëhet reforma dhe Shqipëria do bëhet një vend i barazisë para ligjit dhe drejtësisë së ushtruar në kohë reale, ka parë një ëndërr. Po të mos ishte vullneti ynë nuk do ishte në burg askënd.

Skënder Minxhozi: Kjo reformë në drejtimin e dënimit të kundërvajtjes na mban ende në epokën e pandëshkueshmërisë. Rastet janë dënuar, por edhe duke e marrë dhe nga pozicioni juaj, rezulton që Rama, Meta dhe Berisha që nuk e atakon SPAK. Ajo punon sikur e ka zënë lemza.

Ora 22:27
Rama kritika SPAK: ‘I shkon shtat’ të hetojë Berishën ‘Non Grata’ nga SHBA për korrupsion

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar punën e SPAK, ku tha se ai ka kritikuar punë  e tyre, pasi është i mendimit që “i shkojnë shtat nga një hetim i thellë dhe i drejtë i personave të korruptuar”, referuar Sali Berishën.

“Ngatërroni qeverisjen me shtet bërje, ky është shtet nga e para kur vjen puna te drejtësia. SPAK nuk e kam goditur se nuk duan t’i godasë, e kam kritikuar 1-2 herë, nuk i kam rënë shpesh, por i shkojnë shtat nga një hetim i thellë dhe i drejtë i figurave më të korruptuar dhe një fuqi që SHBA e ka shpallur ‘Non Grata’ për korrupsion’, tha Rama.

Ora 22:10
Kampi MEK në Shqipëri, Rama: Aleancat s’janë menu! SHBA ka një borxh për të larë me ne

 

Kryeministri Edi Rama ka thënë në ‘Real Story’ se SHBA ka një borxh për të larë me Shqipërinë dhe për këtë i referohet strehimit të anëtarëve të opozitës iraniane në kampin MEK, për shkak të së cilës vendi është përballur me sulme kibernetike. Rama sqaroi se me aleatët strategjikë nuk mund të bëhen aleanca që merr çfarë pëlqen dhe atë që nuk pëlqen e refuzon.

“Ne nuk është puna se bëmë një gjest ndaj Amerikës, ne jemi sot më të mbrojtur se kurrë sepse jemi aleatë të SHBA dhe anëtarë të NATO-s. Flas nga pikëpamja e çdo lloj agresori të imagjinueshëm apo jo. Kur ne mund të jemi të vlefshëm duke marrë përsipër një operacion të caktuar, nuk kemi asnjë mundësi, jo se mund të mos e bëjmë, por s’kemi asnjë mundësi të refuzojmë nëse duam të jemi të vlefshëm. Është e vërtetë që ka njerëz që thonë po ç’na duhet, pse i morëm. Aleancat nuk janë menu që të pëlqen të marrësh pjatën e parë dhe jo të dytën. Ke detyrimet e tua dhe momentet kur e bën veten të vlefshëm për aleatët e tu më të mëdhenj. Ne ofrojmë shtëpinë tonë, ata duhet të garantojnë jetesën e tyre dhe ju duhet të garantoni sigurinë. Sot është e qartë se ne kemi bërë tonën, ata kanë mbajtur veten ndërsa aleatët tanë kanë një borxh për të larë me ne”, tha Rama.

Ora 22:09
Hakerat iranianë nxorrën të dhënat e punonjësve të SHISH, Minxhozi: Shumë e rëndë! Rama: Nuk është diçka e mirëseardhur! Duan të na dëmtojnë

 

Analisti Skënder Minxhozi e ka cilësuar shumë të rëndë daljen e të dhënave të punonjësve të SHISH nga hakerat iranianë. Në ‘Real Story’, kryeministri Edi Rama u përgjigj se nuk është diçka e mirëseardhur, por sulmi synon të dëmtojë vendin tonë.

Minxhozi: Nxjerrja e të dhënave të punonjësve të SHISH është shumë e rëndë.

Rama: Nxjerrja nuk është diçka e mirëserardhur. Ky është sulm armiqësor ndaj Shqipërisë që nuk bëhet me bomba mbi kokat por synon të dëmtojë vendin tonë. Në këtë nuk ka diskutim.

Ora 22:00
Situata në SHISH, Rama: Sipas partnerëve shkëlqen, por për çështjet e brendshme asnjë rol cilësor në siguri

 

Për Kryeministrin Rama roli i Shërbimit Informativ Shtetëror për çështjet e sigurisë së brendshme duhet të jetë më cilësor. Në ‘Real Story’ në Report Tv me gazetarin Sokol Balla ai tha se nga partnerët shërbimi ka marrë notë shumë të mirë por këtë nuk e ka bërë brenda vendit.

“SHISH qysh prej vitit 1997 dhe në vijim i është deleguar në një farë mënyre partnerëve. SHISH ka një performancë me 2 pamje, njëra është ajo pamje në bashkëpunim me partnerët ku sipas të gjykimeve të partnerëve shkëlqen. Nga ana tjetër performance shumë e dobët për çështjet e brendshme të sigurisë. Asnjë rol kualitativ në luftën kundër krimit e korrupsionit. Është lënë në prehrin e partnerëve tanë strategjikë, të cilët nga ana tjetër nuk është se kanë qenë shumë të hapur për të pranuar më shumë se sugjerimeve sa i përket Shërbimit Informativ Shtetëror”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për sulmin kibernetik tw Iranit.

“Sulmi kishte si qëllim marrjen e të gjitha të dhënave nga shërbimet online dhe shkatërrimin e sistemeve. Pra kthimin aty ku ishim. Goditjet në sistemet e tjera që janë të pavarura vijnë për shkak të prapambetjeve në investime e trajtime. Për investimin në fushën e sigurisë po t’i referohemi FA, jemi future në një disiplinë të imponuar nga NATO. Pagat e ushtarakëve për herë të parë janë rritur dhe këtë vit me 30%, do vijojnë të rriten dhe me pagat e ushtarakëve do të arrijnë të barasvlefshme me ushtritë e rajonit”, tha Rama.

Ora 21:40
Rama në ‘Real Story’: Ka media që bëjnë presione me lajme të rreme! Unë kam Facebook, Instagram e TikTok ku them të vërtetën

 

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka media që bëjnë presione me lajme të rreme, por ai shprehet se nuk e shqetëson kjo gjë pasi ka median  e tij më të fuqishme, referuar këtu rrjeteve të tij sociale.

“Nuk më shqetëson në aspektin personal apo të qeverisë , kam menduar për këtë ditë sepse disponoj një media me influencë jo të vogël që është faqja ime e Facebook, apo rrjetet sociale, kam kapacitetin e nevojshëm që të përcjellë një pjesë të gjërave që dua të përcjellë, dhe PS do investohet më shumë në këtë drejtim, jemi në kushtet e një bote mediatike të uzurpuar, problemi këtu është publiku që gënjehet në mënyrë permanente përmes gjysmë të vërtetash, jemi përpjekur që të mbajmë ekuilibër në raport me mediat, shumëkush është përpjekur që të tregoj që këtu ka pasur një marrëdhënie më jep të të jap, dhe e kundërta, por kjo nuk është e vërtetë. Kemi respektuar të drejtën e çdo pronari dhe nuk kemi bërë asgjë për të “blerë” apo “në kontroll mediat”, fatkeqësi që në ekranet kombëtare disinformimi është normë, ne do imponohemi me faktet dhe rezultatet”, tha Rama në ‘Real Story’.

Ora 21:39
Rama: Nuk ju kërkon askush të më doni apo të votoni PS, por nëse keni respekt për veten mos ndiqni Metën dhe Berishën! Rublat janë ende në politikën shqiptare

 

Kreu i qeverisë nuk ka kursyer komentet për opozitën duke i dhënë një mesazh të gjithë shqiptarëve që mendojnë se Edi Rama dhe PS nuk do e çojnë vendin përpara. Në ‘Real Story’, Rama u shpreh se duhet të gjejnë një forcë tjetër për të ndjekur, jo Berishën dhe Metën.

“Vetëm këtu mund të ndodhë që forcat që i thonë vetes opozitë të ekzaltohen që informacionet e nxjerra nga hakerat, aspak dashamirës, armiqësor ndaj vendit tonë, në pikën që pa bërë asnjë verifikim, pa marrë asnjë minutë hidhen përpjetë e flasin për 22 mln euro të shpenzuara me chartera. Për rublat nuk e them vetëm unë.

Unë e them kur kjo doli në media dhe përgjigja u dha jo vetëm nga aleanca e rublave në PD, por edhe nga analistë e opinionistë të reshtuar në frontin e urrejtjes që ishte sajesë e imja dhe papritur doli në raportin e Shërbimit Sekret Amerikan që paratë ruse janë hedhur për të rrëzuar PS. Edhe mënyra si është administruar më pas duke ja hedhur fajin njëri-tjetrit, konfirmon që rublat janë në lojë në politikën shqiptare dhe jo vetëm.

Jam i bindur që shqiptarët do ta mësojnë këtë gjë, por i them se askush nuk ju kërkon të doni mezor Edi Ramën apo të votoni mezor PS apo të bëheni të vetëdijshëm që është e vetmja forcë që e çon vendin përpara, ama zgjidhni të tjerë. Shqiptarët që kanë respekt për veten s’mund të jetë ndjekës i personazheve të tilla, një i shpallur non grata, nga një ish president që kam patur bashkëpunim. Sot lufta e mohuar nga këta e nxjerr që është diçka më e rëndë. Si mund të bëhemi kaq qesharak e të parespektueshëm duke i dhënë akoma kredite një personazhi që gënjen sa herë hap gojën”, tha Rama.

Ora 21:35
Çoi këshilltarin e tij në krye të SHISH? Rama: E pavërtetë! Shërbimi Informativ, i prapambetur për sistemet dixhitale

 

Kryeministri Edi Rama mohoi se ka çuar këshilltarin e tij në krye të SHISH. Në ‘Real Story’ u shpreh se qeveria ka punuar shumë për shërbimet online që t’i shërbejnë qytetarëve ndërsa për Shërbimin Informativ, tha se janë të prapambetur për sistemet dixhitale.

“Në Shërbimin Informativ ne si qeveri nuk kemi patur asnjëherë interferencë, operon në mënyrë autonome, të gjitha janë sisteme të tyre. Kemi ende shumë për të bërë. Flas për sistemet dixhitale. Shërbimi ynë ka marrë vlerësime nga partnerët ndërkombëtar, për pjesën tjetër është e prapambetur.  Jo nuk kam cuar asnjë këshilltar”, tha Rama.

Ora 21:28
A do jesh në zyrë më 12 nëntor?! Rama përgjigjet në Report Tv: Po shkruajmë këngën e re të ‘Oso Kukës’ këtu?! E papranueshme kjo gjuhë

 

Në bisedën me gazetarin Sokol Balla në Report Tv Rama u pyet edhe për protestën e opozitës të paralajmëruar më 12 nëntor dhe deklaratat nga Paloka dhe të tjerë se atë ditë do të futen në kryeministri. 

“Këta e mendojnë raportin me përfaqësimin dhe mandatin qeverisë si një raport me paralajmërime dhe kërcënimesh në këto kohë që është shumë specifike për të gjithë bashkësinë euro atlantike të cilës i përkasin. Këta meritojnë neveri dhe asgjë tjetër. Janë thjesht ferra në këmbët e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, i komentoi Rama deklaratat e opozitës.

Ndërsa i pyetur nëse do të jetë në zyrë atë ditë, Rama u përgjigj se “nuk jemi këtu duke shkruar këngën e re të Oso Kukës por jemi në një vend anëtar i NATO-s dhe nuk mund të mendohet në këto terma që ‘a do jesh ti në kullë kur të vijë hasmi apo do ia lësh hasmit’. Kjo gjuhë është e papranueshme”.

Ora 21:24
Opozita e Berishës dhe Metës/ Rama: S’janë kundërshtarët e mi, por të shqiptarëve! Po ndjekin interesat e Kremlinit

 

Opozitën e Sali Berishës dhe Ilir Metës, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar jo si kundërshtarët të tij, por të interesave të shqiptarëve. I ftuar në ‘Real Story’, kreu i qeverisë tha se kjo opozitë po bën në Shqipëri gjithçka që Kremlini dëshiron.

“Nuk janë kundërshtarët e mi, por kundër interesave të shqiptarëve, edhe faktet e kanë treguar lidhja e tyre me paratë ruse nuk është një hipotezë, por është një fakt dhe është një lidhje që nuk është shkëputur, qasja, mënyra dhe argumentet dhe përpjekja për të turbulluar me gjithçka Kremlini dëshiron të ndodh në Shqipëri dhe ka një harmoni se si përgatiten gjërat me forca të ngjashme në vendet e tjera, shqiptarëve që janë shqiptar nuk u takon të kenë asnjë ligje me Kremlinin, por këta e kanë”, tha Rama.

Ora 21:18
Fasha 800 kWh? Rama në Report Tv: Familjet paguajnë vetëm 20% të faturës së tyre, 80% e paguan Qeveria si ‘mburojë’ financiare

 

Rama e riktheksoi qëllimin e Qeverisë për të mbrojtur konsumatorët familjarë në këtë krizë energjetike, ndërkohë që e përsëriti deklaratën se do të jetë Qeveria ajo që do të vendosë ose jo fashën 800 kWH.

“ERE nuk ka asnjë detyrë dhe të drejtë vtë vendosë fashën. Fashat vendosen bazuar në një politikë të qeverisë. Ne kemi vendosur një mburojë financiare për familjarët dhe biznesin e vogël. Nga faturat që i shkon atyre në shtëpi 20% i paguajnë familjarët dhe 80% i paguan Qeveria. Pothuajse i njëjti raport vlen edhe për biznesin e vogël. Dhe kjo s’ka të bëjë me ERE-n, që vendon çmimin real. Synimi është që të nxisim kursimin”, tha Rama i ftuar në ‘Real Story’ në Report Tv.

“E rëndësishme me shqiptarët është që të mos i gënjesh dhe të ndash me ta të vërteta. E rëndësishme është që ne nuk e kemi zgjedhur këtë luftë dhe kjo nuk ka të bëjë me ne. Lufta e Putinit ndaj Ukrainës nuk ka qëllim fundor Ukrainën, por është sebepi për të gjunjëzuar perëndimin”, vijoi ai.

Ora 21:15
Fluksi i emigrantëve në Britani, Rama: Trendi do balancohet! Do ketë më shumë kthime shqiptarësh se sa ikje

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar fluksin e emigrantëve drejt Britanisë duke thënë se ka besim që ky trend do të balancohet dhe të gjithë shqiptarët që janë larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë, do të kthehen sërish. Në emisionin ‘Real Story’ në Report Tv, thotë se do të ndikojnë faktorë të ndryshëm që do të përmirësojnë jetën në Shqipëri.

Sa i përket intervistës me prestigjozen britanike BBC, tregon një moment që nuk është transmetuar pasi ka përmendur shifrën e lartë emigrantëve britanikë drejt Australisë.

“Në bisedën me gazetaren e BBC nga Berlini, ishte një pjesë që e kishin parë të arsyeshme ta prisnin. Britania e Madhe ishte fuqi e madhe, ndonëse e goditur nga Lufta e 2 Botërore por kushtet e të cilës në vitet 50 apo në fillim të viteve 60 ishin kushte, nuk mund të them të ngjashme por mbase të ngjashme me raportin relative dhe i solla shifrat e të ikurve nga Britania drejt Australisë që ka krijuar popullsi prej 10 milionë e kusur njerëzish drejt Amerikës. Të gjithë vendet kanë fazat e tyre dhe nuk mund të konsiderohet veçanti shqiptare, aq më tepër që për shqiptarët vjen pas një izolimi të gjatë dhe jam i bindur që shqiptarët që do të kenë fazën tjetër, kurrë nuk do të ndalojnë së ikuri por trendi do të kthehet në sensin që do të ketë më shumë kthime sesa ikje. Kam besim që ky trend do balancohet për shkak se ekonomia këtu, nëse do na lejojnë gjithë rrethanat do të zgjerohet e do të zhvillohet pa diskutim.

Viti i ardhshëm nuk ka sit ë jetë për ndonjë ekspasion ekonomik, por kur flas konsideroj dhe rrethanat e tjera. Besoj se duke zgjeruar burimet e rritjes ekonomike, kam edhe gjasën e shfrytëzimit të pasurive natyrore, atyre të zbuluara rishtaz dhe të tjerave. Kam parasysh investimet në process dhe atyre që janë në kanal për të filluar realizimin që janë shumë domethënëse, në energji, turizëm dhe infrastrukturë”, tha Edi Rama.

Ora 21:10
Rama në Real Story: E pakundërshtueshme që Shqipëria ka fituar respekt në arenën ndërkombëtare! E ka marrë me krenari dhe meritë

 

Kryeministri Rama tha sonte në ‘Real Story’ në Report Tv se është e qartë tashmë që vendi ka fituar një respekt shumë të më madh ndërkombëtarisht. Ai tha se kjo ka ndodhur për shkak se Qeveria e ka kërkuar respektin me punë dhe me meritë.

 “Së pari është e vërtetë dhe e kot të kundërshtohet se sot Shqipëria trajtohet me shumë më tepër respekt dhe nuk besoj se shumëkush e ka imagjinuar që Shqipëria do të ishte vendi ku më 6 dhjetor do të mblidhen të gjithë liderët e  vendeve të BE-së apo që edhe të mblidhet këtu vitin e ardhshëm edhe Samiti i Procesit të Berlinit. Ne japim respekt dhe kërkojmë respekt. Pra kemi ndryshuar qasjen. Këto janë edhe reflektime të qasjeve që janë arritur nga Shqipëria, që këtu errësohen nga arsye që s’ka nevojë të humbasim kohë t’i komentojmë. Këto arsye janë në syrin e të gjithë të huajve”, tha Rama në bisedën me gazetarin Sokol Balla.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Suela: 04/11/2022 11:04

    Je me fat qe ne krye te PD eshte Berisha nje kriminel dhe per sa kohe te jet ai ti do jesh kryeminister.Po te kishte PD nje kryetar te denje ti as 24 ore nuk do qeverisje më se e ke felliq ket popull me korrupsuon e varferi

    Përgjigju
  • Arbëri: 04/11/2022 10:59

    Kush ka harmoni më të lumtur se ti me Kremlinin o Edvin shkjau shqipfolës o tradhtar, po ti vetëm shqipfolës je se shqiptarë kurr jo…!!!

    Përgjigju
    • Llesh: 04/11/2022 20:36

      Edi eshte me shqiptare se ti qe SDI as tè flasesh shqip o bole

  • LORA: 04/11/2022 09:36

    Zoti Kryeminister,jeni ne rrugen me te bukur dhe te denje te perparimit te Shqiperise sone. Mirenjohje per klasin e qeverisjes suaj.

    Përgjigju
  • Dori: 04/11/2022 08:50

    Ashtu si shteti ju kompenson energjine milionereve me kondicioner ne cdo cep te vilave dhe pallateve,duhet ti kompensoj pensionisteve cmimet e luftes.E mbulon 80% energjine ketyre,tja mbuloj me te njejten shifer dhe pensionisteve cmimet e shportes...sepse nje pensionist konsumon 100 kw ndersa nje i pasur 1000 kw...turp te kini

    Përgjigju
  • populli i tiranes: 04/11/2022 02:34

    rri ne ta mbajte ne kryeministri,ne date 12 nentor,,se ta rregullojme neve ty....eshte bete vjedhja mullar.....

    Përgjigju
  • goni: 04/11/2022 02:31

    SI SALI BERISHA,,,,,ILIR META ,,SI EDI RAMA,,JENI TE TRE NJESOJ NE VJEDHJEN E PARAVE TE SHQIPTAREVE,,,PSE PAK ESHTE AFERA E INCENERATOREVE,,,PRONATET E INCENERATOREVE JANE NE ARRATI RAMA PAGUAN FIRMEN,,,SI DURON KY POPULL ,,, MUK E DI.....NE KEYE SITUATE TE RENDE,,KU KORRUPSIONI I EDI RAMES PO BEN KERDINE,,,,POPULLI DUHET TE LEXOJE POEMEN E FAN NOLIT ANES LUMEJVE....

    Përgjigju
  • ana: 04/11/2022 01:37

    PO TI MOR RAMA QE NA E KE BERE SHQIPERINE DHE TIRANEN TE PAJETUESHME ME CILIN JE LIDHUR,,,,,????...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Pasdite në kopshtin e shtëpisë', 'Servili i Grave' dhe 'Hana, vajza që kapi diellin', tre librat e rinj në rubrikën 'Në librari'

'Pasdite në kopshtin e shtëpisë', 'Servili i Grave' dhe 'Hana, vajza që kapi diellin', tre librat e rinj në rubrikën 'Në librari'