Edhe në javën e dytë të sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar për Fëmijë (Teatrin e Kukullave) në shfaqjen "Çufo e Tipi, një aventure me verdhushka", salla ka qënë e tejmbushur nga vogëlushët e shoqëruar nga prindërit apo të afërmit e tyre.

Pas nisjes së sezonit të ri artistik, në datat 13 dhe 14 shtator 2014, me shfaqjen "Princesha mbi bizele", ka qënë rradha e "Çufos dhe Tipit" dy personazheve historikisht të pëlqyer nga fëmijët, e cila ka deshmuar se fëmijët e kanë mirëpritur edhe këtë shfaqje.

Derrkuci i vogël Çufo dhe shoku i tij më i mirë, Arushi Tipi, me anën e kësaj shfaqje edukative, kanë ngjallur dhe provokuar majft emocione e duartrokitje nga vogëlushët e shumtë që ndodheshin në sallë, të cilët gjatë gjithë kohës e kanë ndjekur shfaqjen me mjaft vëmëndje.

Për të gjithë fëmijët që nuk kanë mundur ta shohin dot sot shfaqjen, TKF njofton se ajo do të jetë në skenë edhe ditën e nesërme (21/9/2014)  në orën 10:30 dhe në orën 11:30. /ATSH/