Ka zgjatur më pak se 60 minuta takimi i mjekëve në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me plotësimin e 4 kërkesave që ata kërkojnë. Në takim ishin të pranishëm Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, drejtori i QSUT-së Enkelejd Joti, zv. Ministrja Mira Rakacolli, Arben Gjata, mjeku Gent Stroni dhe disa mjek të tjerë.

Ditën e sotme janë paraqitur draftet nga mjekët dhe nga ana e ministrisë ku pritet që të vendoset dhe akordohet për një memorandum mirëkuptimi. Draftet po shqyrtohen nga juristët përkatës të të dyja palëve, mjekëve dhe ministrisë.

Në lidhje me rritjen e pagës me 40 % e premtuar më herët nga kryeministri Rama, mjeku Stroni tha pas takimit se nuk është kundër saj, por po diskutohet që të rritet në maksimum por dhe brenda mundësive, qoftë tha ai "nga 40 % të bëhet 41 %". Ai tha se mjekët në Shqipëri kanë pagat më të ulëta në rajon.

"Sa i përket çështje se pagës rritje ne 40%, përfaqësuesi i mjekëve tha që ne kemi argumentet të tjera. Ne jemi vendi me pagat me të ulta ne rajon, ku është një argument që duhet parë. Pse 40% dhe jo 41%?", tha Stroni

Mjeku Gent Stroni tha pas takimit se në takimin e sotëm të dytë u dorëzuan draftet dhe të hënën pritet që të ngrohen grupet e punës për të bërë specifikimet e duhura.

"U la që në të hënën të jepen emrat e grupeve të punës nga ana jonë. Sot u argumentua dhe vendosëm vetëm se si do të vazhdojë dhe çfarë do të bëjmë nga e hëna e më pas. Do të ngremë disa grupe pune për të shqyrtuar kërkesat tona. Drafti ynë do të ballafaqohet me draftin e Ministrisë për të bërë specifikimet e duhura. Drafti është në marrëveshje bashkëpunimi dhe do vendosen  piketa ku ne pretendojmë të arrijmë sa më shumë nga kërkesat tona", tha Stroni.

Kërkesat e mjekëve
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personelit shëndetësor të çdo niveli t'i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.