Në qershor të këtij viti, qeveria depozitoi në Kuvend dy projektligje për trajtimin dhe statusin e punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, institucionin kryesor të sekreteve në Shqipëri, për garantimin e sigurisë kombëtare. Nisma ligjore për statusin e punonjësve të SHISH u miratua nga Kuvendi para mbylljes së punimeve në korrik, ndërsa projektligji për trajtimin financiar pritet të miratohet gjatë sesionit të ri. Nisma e fundit për trajtimin financiar parashikon mundësinë e daljes në pension të parakohshëm të punonjësve të SHISH, të cilët kanë mbushur moshën 57 vjeç si dhe ata që kanë 25 vite vjetërsi shërbimi.

Punonjësit që kanë mbushur moshën 57 vjeç, u ndërpritet karriera në SHISH dhe përfitojnë 50 % të pagës mujore neto deri kur të mbushin moshën e pensionit, me kusht që të aktivizohen pranë SHISH deri në 700 orë në vit, në të kundërt humbasin gjysmën e pagës. Shqiptarja.com ka mësuar numrin e punonjësve të SHISH që dalin në pension të parakohshëm nëse Kuvendi e miraton projektligjin e qeverisë. Konkretisht, nga 998 punonjës që ka aktualisht SHISH-it, 75 punonjës parashikohet të dalin në pension të parakohshëm vetëm gjatë vitit 2020. Mes 75 njerëzve të SHISH, 12 janë drejtues të degëve të institucionit të sekreteve, dy zëvendësdrejtorë, 50 inspektorë dhe 11 nëninspektorë. 

Ndërkaq, me miratimin e nismës ligjore, deri në vitin 2030, në pension të parakohshëm do të dalin edhe 69 punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror. Dalja në pension të parakohshëm bëhet me kërkesë të punonjësit ose kërkesë të drejtorit të SHISH dhe miratohet nga një Komision i Posaçëm. Por, dalja në pension të parakohshëm nuk është me dëshirë, pasi parashikohet e drejta e kreut të SHISH për të shkarkuar punonjësit mbi 57 vjeç dhe ata që kanë 25 vite vjetërsi shërbimi. Ndërkaq, sipas qeverisë, miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm për faktin se, detyrat institucionale që ligji i ngarkon, kryesisht Shërbimit Informativ të Shtetit, janë të një rrezikshmërie e vështirësie shumë të lartë në raport me detyrat institucionale që kanë strukturat tjera shtetërore.

 Tebela me numrin e punonjëve të SHISH që do dalin në pension të parakohshëm