DURRËS - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mikpriti sot në Durrës presidentët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, në kuadër të Takimit të Pestë Rajonal të Presidentëve. Gjatë takimit ai pati edhe pyetje nga gazetarët e pranishëm mbi projekte rajonale si "magjistralja e Adriatikut", mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE apo dhe mbi vendimin e fundit të qeverisë për heqjen e portretit të tij. Më poshtë pyetje-përgjigjet e plota:

Pyetje: Në cilën fazë është magjistralja e Adriatikut?
Presidenti Nishani: Edhe një herë, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë që Shqipëria i jep këtij Korridori, Korridorit Adriatiko-Jonian. Në Shqipëri tashmë ka segmente të caktuara ku këto investime në shërbim të këtij Korridori kanë nisur. Ne si Presidentë, përtej angazhimeve tona mendoj që, duhet të kemi një zë të fortë dhe të fuqishëm duke kërkuar që projekte të tilla konkrete të vihen në implementim nga qeveritë e vendeve tona dhe njëkohësisht për të qenë në krah të qeverive tona për tu mbështetur financiarisht për sa kohë janë projekte që ndihmojnë zhvillimin rajonal, projekte të cilat ndihmojnë komunikimin e rajonit edhe me hapësirën evropiane, projekte të cilat bëjnë tregun rajonal interesant dhe të rëndësishëm edhe për vetë hapësirën evropiane, të gjejnë mundësinë e mbështetjes financiare edhe nga organizmat e tjerë evropianë.

Pyetje:  Zoti President, a besoni se takime të tilla e afrojnë datën e anëtarësimit të vendit tonë në BE dhe sa të afërt e shihni datën. A besoni ju se këtë vit vendi do të marrë statusin e vendit kandidat në BE?

Presidenti Nishani: Ju falënderoj për pyetjen! Pa dyshim që fryma kryesore që përshkon të gjitha këto takime dhe kontributi themelor që përcjellin këto takime është në shërbim të një objektivi të përbashkët të shprehur tashmë dhe të angazhuar të të gjitha vendeve tona që, është ai i integrimit në BE. Vetë fryma e këtyre takimeve, vetë fryma e këtyre samiteve, axhenda e tyre, trajtimi i projekteve konkrete janë tërësisht në frymën dhe mentalitetin evropian, janë tërësisht në atribut të zhvillimeve dhe arritjes së standardeve që vetë BE-ja pret të shohë nga të gjitha vendet tona, ndaj përveç faktit të rritjes së miqësisë midis Presidentëve të vendeve tona, përveç dhe përtej faktit të ndarjes së mendimeve dhe pikëpamjeve tona për zhvillimet dypalëshe dhe ato rajonale, të gjitha janë në funksion të procesit të integrimit europian të vendeve tona. Jam optimist dhe kam arsye për të qenë optimist që edhe Shqipëria dhe të gjitha vendet tona kanë të gjitha shansin dhe mundësitë për të ecur me një shpejtësi të re dhe më të madhe në proceset e integrimit europian dhe unë, jo vetëm që jam i angazhuar, jo vetëm që besoj dhe shpresoj, por e konsideroj një meritë të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhënien dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian të dhjetorit. Faleminderit!

Pyetje: Kisha dy pyetje për Presidentin Nishani. E para ka të bëjë me; nisma për zhvillimin e këtyre takimeve është e Shqipërisë, cili është vlerësimi juaj për ndihmesën që kanë dhënë këto takime në forcimin e bashkëpunimit. Dhe pyetja e dytë edhe pse nuk është pjesë e axhendës, ka të bëjë me vendimin më të fundit të qeverisë së re, e cila ka vendosur që të hiqet portreti i Presidentit nga institucionet dhe vendosja e portretit të Ismail Qemalit. Cili është komenti juaj? Faleminderit!

Presidenti Nishani: Ju faleminderit për pyetjet! Së pari, unë besoj që në lidhje me pyetjen e parë gjithçka ishte e qartë. Angazhimi ynë është në funksion të bashkëpunimit, është në funksion të projekteve të përbashkëta, është në funksion të zhvillimit, është në funksion të integrimit të vendeve tona në familjen të cilën ne e ndjejmë veten pjesë, të Bashkimit Europian.

Përsa i takon pyetjes së dytë, për foton e Presidentit – Në fakt është e padëgjuar më parë që, një Kryeministër ta nisë punën e tij me heqjen e fotos së Presidentit të vet. Nuk ka ndodhur në asnjë vend, nuk duhet të ndodhë, nuk është serioze.

Heqja e fotos së Presidentit nuk është punë, është një gjest dhe si i tillë është i kollajtë, nuk kërkon lodhje, nuk kërkon fantazi, nuk kërkon inteligjencë.

Presidenti i Republikës pret nga Kryeministri të bëjë punë dhe jo gjeste. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton që Presidenti i Republikës është kreu i Shtetit dhe në  Republikën e Shqipërisë Kushtetuta ja ngarkon Presidentit të Republikës përfaqësimin e unitetit të popullit.

Nuk ka asnjë diskutim që Ismail Bej Vlora është figurë e madhe e historisë sonë, është një kontributor jashtëzakonisht i madh  i pavarësisë së Shqipërisë. Por, historia është histori dhe serioziteti ndaj shtetit është seriozitet ndaj shtetit.

E rëndësishme është që, Kushtetuta do të mbrohet në çdo rast.

Sforcimet për ta vendosur Presidentin e Republikës përballë si kundërshtar politik nuk janë të shëndetshme për demokracinë.

Unë mendoj se qytetaret shqiptarët sot kanë nevojë për bashkim, jo për përçarje, kanë nevojë për kontribute, kanë nevojë për punë, kanë nevojë për zhvillim ekonomik. Presidenti i Republikës do të jetë gjithmonë në shërbim të unitetit të popullit, do të jetë gjithmonë në shërbim të mbrojtjes së Kushtetutës. Për fat të mirë tashmë Shqipëria i ka të konsoliduara mekanizmat e mbrojtjes dhe të pacenueshmërisë së Kushtetutës së vendit dhe të ligjeve. Faleminderit!

durres nishani
(Në foto: Të ftuarit dhe gazetarët e pranishëm në Takimin Rajonal të Presidentëve).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)