TIRANË- Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim ligjin për “masat shtesë të sigurisë publike”. Nishani në dekretin e tij publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, thotë se ligji në fjalë nuk siguron respektimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve.

"Përmes këtij ligji, duke përcaktuar masa shtesë të sigurisë, përmes vendosjes së kamerave të sigurisë të cilat përfshijnë sheshe të hapura, parqe, kënde lojërash, mjedise të hapura apo të mbyllura publike, mjedise të punës ku ushtrohet një biznes privat, mjedise të hapura dhe të mbyllura për fëmijë cënohet e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga neni 35 të Kushtetutës së R.SH-së dhe neni 8/1 i KEDNJ-së," thuhet në arsyetimin e Nishanit.

Më tej Nishani shton se “ndërhyrja në të drejtën për jetë private dhe familjare përmes masave të parashikuara në nenin 8 të Ligjit nuk është e justifikueshme, e domosdoshme dhe proporcionale”.

“Ligji në fjalë mbasi detyron bizneset, administratorët e pallateve, shkollat private dhe publike, apo të gjitha institucionet publike të instalojnë kamera dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre, nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera”, shkruhet në dekretin e Presidentit të Republikës.

Sipas tij Kuvendi duhet të rishqyrtojë ligjin pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)