Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në vijm të vizitës së tij në SHBA, dekoroi ambasadoren amerikane Rosemari A. Di Carlo me dekoratën "Gjergj Kastriot Skënderbeu" me këtë motivacion: "Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje të thellë për kontributin e saj të spikatur politik dhe diplomatik në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve historike dhe tradicionale amerikano-shqiptare", si dhe Rabinin Arthur  Schneier me Dekoratën "Për merita të veçanta civile".
Në cermoni ishin të pranishëm diplomatë amerikanë, personaliteteve të ndryshme politike, akademike dhe shoqërore të Nju-Jorkut, ku presidenti Buajr Nishani mbajti fjalën e rastit dhe u shpreh se  "Para më shumë se  një shekulli, Presidenti Uilson mbrojti vendoshmërisht pavarësinë e brishtë të Shqipërisë. Rastet janë të panumërta që nga Lufta e Dytë Botërore, në të cilën luftuam së bashku kundër aksit të së keqes, për të vazhduar me dhënien e shpresës gjatë periudhës së errët të diktaturës komuniste, konsolidimin e demokracisë së re dhe institucioneve të pavarura shqiptare, shpëtimin e kosovarëve nga gjenocidi serb, tek mundësimi, përkrahja dhe njohja e mëvetësisë së shtetit më të ri në Ballkan të Kosovës, tek anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e deri tek rreshtimi krah për krah si aleatë dhe partnerë besnikë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe misionet paqeruajtëse".
"Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura pazgjidhshmërisht tashmë, marrëdhëniet tona dypalëshe e të gjithanshme, janë ne kulmin e tyre, kombi shqiptar po e farkëton dita-ditës miqësinë dhe lidhjet me atë amerikan dhe i gjithë ky realitet është bërë i mundur edhe në saje të kontributit dhe punës së palodhur e përkrahjes së zyrtarëve amerikanë të Uashingtonit, ku padyshim diplomatja e kudogjendur, energjike dhe e papërtueshme, ambasadorja e shquar Di Carlo, zë një vend parësor e mjaft të lavdërueshëm. Prandaj sot ndihem i privilegjuar që në cilësinë e Presidentit të Republikës, ne emër të shtetit, por edhe të popullit shqiptar, ta vlerësoj zyrtarisht e t'i shpreh asaj mirënjohjen e pakufishme të mbarë popullit shqiptar me dekoratën e lartë 'Gjergj Kastriot Skënderbeu", tha Nishani. //atsh/