Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani priti sot në një takim Komandantin e ri të Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Vladimir Avdiaj, të cilit i dorëzoi dekretin e emërimit në detyrë.

Të pranishëm ishin Gjeneral Major Jeronim Bazo, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe pjesëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Presidenti Nishani fillimisht uroi Gjeneral Brigade Avdiaj për marrjen e detyrës së lartë duke shprehur vlerësimin dhe besimin e tij për kryerjen me sukses të kësaj detyre.

Në vijim, përgjatë takimit të zhvilluar, Kreu i Shtetit vlerësoi maksimalisht arritjet, por dhe sakrificat e gjithë pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, duke u ndalur tek kontributet e forcave ajrore në funksion të arritjes së sigurisë në vend përgjatë dy dekadave të fundit. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vlerësoi në mënyrë të veçantë arritjen madhore të vendit, anëtarësimin në NATO, si një nga sukseset kulmore të Shqipërisë, duke theksuar se qënia vend anëtar i NATO-s sjell në vijimësi nevojën për rritjen e standardeve të Forcave të Armatosura për t’u përballur me sukses jo vetëm me sfidat e brendshme, por dhe me ato në nivel global.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)