Presidenti Bujar Nishani ka firmosur kërkesën e kryeprokurorit Llalla për transferimin në apelin e Shkodrës të prokurorit Arben Dollapi. Dekreti i Kreut të Shtetit është bërë ditën e djeshme, duke i dhënë “ok” votimit 6 me 0 të anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë, për transferimin e Arben Dollapit në Prokurorinë e Apelit në Shkodër.

Pak ditë më parë prokurori Dollapi në një komunikim telefonik me “Shqiptarja.com” deklaroi se transferimi i tij në Shkodër është kryer me urdhër të kryeprokurorit Llalla.

"Po është e vërtetë që këshilli sot të ketë marrë një vendim për transferimin tim. Nuk kam pse e fsheh. Jam transferuar me argumentin e riorganizimit të organikës së prokurorisë pasi prokuroria e Apelit Shkodër ka nevojë për prokurorë. Dhe për këtë u gjet Arben Dollapi, që është zëri kundra i Adriatik Llallës në këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme. Riorganizimi i strukturës është bërë brenda 20 ditësh, vetëm e vetëm për të më hequr. Ndërkohë që riorganizimi bëhet vetëm një herë në vit. Unë i kuptoj kolegët e mi në këshill se kanë qënë nën presion kur kanë votuar. Madje u tentua të ndryshohej dhe orari i mbledhjes me qëllimin e vetëm që unë si anëtar këshilli të mos isha pjesë e kësaj mbledhje, pasi ishte zgjedhur një orar kur unë duhet të isha në gjykatë”-ka pohuar prokurori Arben Dollapi.

arben dollapi
(Arben Dollapi)

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)