TIRANE - Në ceremoninë e përfundimit të misionit Euralius presidenti Nishani pranon se ka gjyqtarë të cilët jetojnë në luks të tepruar të paargumentuar me të ardhurat që kanë, ndonëse këto në minorancë.  Në këtë linjë kryeprokurori Adriatik Llalla thotë se ka hetime të hapura për prokurorë e gjyqtarë që jetojnë në luks.

"Midis komunitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka një numër jot ë vogël prokurorësh dhe gjyqtarësh që jetojnë në kushtet e një luksi të tepruar, të paargumentuar me mundësitë e të ardhurave që kanë. Por, ka një shumicë të madhe që jetojnë në kushtet normale me parametrat e shoqërisë. A do të mbetemi ne tek portretizimi i tërë sistemit tonë të drejtësisë duke i’u referuar vetëm shembullit të minorancës?"- tha presidenti.

I pyetur nga gazetarët kryeprokurori Adriatik Llalla, i pranishëm në këtë ceremono tha se mbështet deklaratën e Presidentit për gjyqtarët e prokurorët.

"Janë disa raste. Kishim plan për punonjësit e sistemit gjyqësor. Në rastin e procesit të hetimit rezultatet do të bëhen publike në ditët në vijim."- tha Llalla.

Nishani ftoi ministrin e Drejtësisë dhe kryeprokurorin Llalla të hetojnë çdo rast korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

"Do t'i ftoja si dy partnerët të afërt të KLD të ndjekin së bashku secili në profilin e tij. Avokati i Popullit të denoncojë abuzimet e korrupsionit të gjyqtarëve dhe të ndjekim bashkë ecurinë e procesit të vijojë puna e nisur për hetimin e cdo rast."

(sg/shqiptarja.com)