...
Kuvendi sipas kushtetutës është brenda afatit të tij 10 ditor për të shqyrtuar dekretet e shkarkimit, të cilat me shumë gjasa kalojnë në seancën e së enjtes, por Nishani është i detyruar në bazë të kushtetutës që të bëjë dekretimin e dy emërimeve deri te marten e 23 shkurtit, dy ditë para vendimit të mundshëm të kuvendit.
Nëse Nishani do të dekretojë emërimet brenda afati ligjor do të kishim 4 ministra në krye të dy dikastereve. Shkëlqim Cani, ministër i Financave për sa kohë nuk është votuar shkarkimi i tij në Kuvend, Arben Ahmetaj ministër Ekonomie, dhe me firmosjen e emërimeve nga Nishani, Ahmetaj do të ishte edhe Ministër i Financave dhe Milva Ekonomi ministre e Ekonomisë. Ndërkohë kjo e fundit është ende zëvendësministre e Shëndetësisë, shkarkimi i së cilës nuk kërkon dekret. Ekonomi pritet të shkakrohet me vendim të Këshillit të Ministrave në mbledhjen e së mërkurës së 24 shkurtit.
Nishani nuk perjashton mundesine qe kuvendi te rrezoje dekretin e tij per shkarkimet e Canit dhe Ahmetajt, nderkohe qe ai i ka dekretuar zevendesuesit e tyre, cka do te thote se ngerci me 4 ministra ne 2 ministri do te zgjatej ne kohe.
Pikërisht për t’iu shmangur emërimit formal të ministrave Nishani i kërkon ndihmë Gjykatës Kushtetutese për interpretim të neneve që lënë hapësirë për ngërç institucional.
Në një shkrim të gjatë ku rradhit argumentat dhe përplasjet kushtetuese të debatuara deri tani mes institucionit të Presidencës dhe Kuvendit, Nishani i kalon përgjegjësinë Kuvendit, për situatën e krijuar, pasi Kuvendi duhet të kishte shqyrtuar dekretet e shkarkimit të ministrit Cani dhe Ahmetaj, për t’i hapur rrugë kështu dekreteve të dyta të Nishanit për emërimin e ministrave të rinj, Ahmetaj në krye të Financave dhe Milva Ekononomi tek Ekonomia.
Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhet që brenda 10 ditëve të shqyrtojë dekretet e shkarkimit të ministrave, shqyrtim jo vetëm formal por edhe substancial sepse ai është akt i një kontrolli politik të ngjashëm me atë që ushtrohet në kuadrin e një mocioni besimi apo mosbesimi.
Kështu Nishani thotë se Kuvendi duke mos marrë në shqyrtim dekretet për emërimet, i ka lënë ato pa fuqi, ccka pengon nxjerrjen e dekreteve të emërimit brenda afatit 7 ditor.
Por në bazë të vendimit nr nr.6/2002 të Kushtetutës, "në kushtet që Kuvendi nuk ka shqyrtuar Dekretet e shkarkimit të Ministrave, Presidenti është i detyruar që për të respektuar Kushtetutën, me qëllim që të mos krijohet një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit dhe qeverisjen e vendit, të bëjë emërime formale, të dy ministrave të rinj."
Për sa kohë ka një normë kushtetuese të paqartë, Nishani i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të bëjë interpretimin përfundimtar të nenit 98, pika 1 duke ngritur këto pyetje:
-A mund të kërkohet në të njëtën kohë nga ana e Kryeministrit shkarkimi dhe emërimi i një ministri, ndërkohë që nevojitet një afat i caktuar kohor referuar Kushtetutës që të realizohet procedura e shkarkimit e një ministri?
-A mundet Presidenti i Republikës të emërojë një Ministër të propozuar nga Kryeministri, ndërkohë që Kuvendi nuk i ka dhënë fuqi Dekretit të shkarkimit të ministrit paraardhës?
-(Cfarë natyre kanë dekretet e Presidentit të Republikës sa i takon shkarkimit dhe emërimit të ministrave?
-A quhet i rrëzuar apo i pranuar propozimi i Kryeministrit, për emërim apo shkarkim ministri, në rast se Presidenti nuk dekreton atë brenda afatit 7 ditor?
-Sa kohë që dekreti për emërimin e Ministrit është detyrim kushtetues për Presidentin, a ekziston mundësia që Presidenti të kërkojë verifikim të kandidatit të propozuar, nëse ky i fundit i plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore dhe nëse jo, a mund t’i kërkohet Kryeministrit rishikimi i kandidaturës?
Nishani-Ramës: Nuk mund të bëhen në një ditë shkarkim/emërim.
Një nga pyetjet për të cilat presidenti Bujar Nishani kërkon përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, është fakti se a duhet që kryeministri të kërkojë në të njëjtën kohë shkarkimin dhe emërimin e një ministri, ndërkohë që nevojitet një afat i caktuar kohor referuar Kushtetutës që të realizohet procedura e shkarkimit.
Sipas Nishanit në respekt të kushtetutës e cila në vendimin nr. 6, dt.18.01.2002 ka konkluduar se kontrolli nga Kuvendi nuk është veç formal, por edhe substancial dhe se Dekreti nuk merr fuqi përsa kohë nuk votohet”pro” ose “kundër”, kryeministri Edi Rama duhet që të propozonte së pari shkarkimin e ministrit, ku Presidenti në 7 ditë të nxirrte dekretin përkatës, dhe më pas Kuvendi në 10 ditë të bënte shqyrtimin e tij duke i dhënë fuqi ose jo. Veç në këtë moment do të quhej e përmbyllur procedura e shkarkimit të një Ministri. Pas kësaj, Kryeministri do të propozonte Ministrin e ri dhe sërish do të vazhdonte e njëjta procedurë tek Presidenti dhe në Kuvend.
Rasti Naço shkarkimi dhe emërimi në një ditë
Rasti i propozimit të shkarkimit/emërimit në të njëjtën kohë nga ana e Kryeministrit ka ndodhur në rastet e dorëheqjes së ministrave, siç ishte heqja dorë nga Ministria e Drejtësisë e Nasip Naços dhe emërimi i Ylli Manjanit në postin e tij, propozime të kryeministrit të dekretuara në të njëjtën ditë nga Nishani. Në rast dorëheqjeje votimi i Kuvendit mund të konsiderohet formal, pasi dorëheqja është e parevokueshme, dhe dekreti i emërimit bëhet pa pritur vendimin e ligjvënësve.
Ja çfarë ndodh nëse Nishani dekreton emërimet para vendimit të Kuvendit për të votuar shkarkimet
Shkëlqim Cani ministër i Financave
Arben Ahmetaj Ministër i Ekonomisë
Arben Ahmetaj Ministër i Financave
Milva Ekonomi Ministre e Ekonomisë
Milva Ekonomi zëvendësministre e Shëndetësisë
Argumentet e plota te Nishanit per dekretet e ministrave
Redaksia Online
(U.S/Gre.M/Shqiptar.com)