TIRANE-  Vazhdojnë përplasjet mes mazhorancës dhe Presidentit Nishani. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka reaguar pas fjalës së nënkryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, në seancën e sotme parlamentare, i cili bëri publike disa letra që sipas tij lidhen me shkarkimet në administratën publike.

Sipas Ballës, “presidenti i Republikës, në një letër nga PD Tiranë drejtuar Sokol Olldashit, më 12 tetor 2005, kërkon largimin nga puna të punonjësve të policisë, me arsyen se janë të lidhur me drejtues të Partisë Socialiste dhe të LSI-së”.

Presidenca përmes një njoftimi për shtyp thotë se është sulmuar nga deputetët e mazhorances dhe e quan deformim qëllimulët dhe shpreh keqardhje të thellë ndaj sulmit politik. 
 
 "Presidenti i Republikës shpreh keqardhje të thellë ndaj sulmit politik që shumica qeverisëse adresoi sot kundër tij në sallën e lartë të Parlamentit duke e përdhosur atë.

Presidenti i Republikës demaskon dhe dënon deformimin qëllimulët ndaj angazhimeve të tij kundër moszbatuesve dhe shkelësve të Ligjit në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Jo vetëm tani dhe në këtë rast. Në çdo periudhë, në të gjitha rastet, në çdo detyrë që ka pasur në të kaluarën dhe do ketë në të ardhmen.

Duke cënuar besueshmërinë dhe duke inkurajuar sjelljen e papërgjegjëshme, ky sulm me shtysë të qartë politike, është një tjetër atentat i rëndë që shumica qeverisëse i bën komunikimit normal ndërinstitucional.

Presidenti i Republikës, ka qënë, është, dhe do jetë, i bindjes së thellë dhe të patundur, se pavarësisht nga pozicioni shoqëror, hierarkia shterërore, dhe çdo rrethanë tjetër, denoncimi i shkelësve të ligjit dhe në përgjithësi mbrojtja e ligjshmërisë, është një akt civil, një detyrim njerëzor i vetvetishëm, i cilitdo qytetar të vendit."- thuhet në njoftimin për shtyp

Redaksia online
(e.s/sg/shqiptarja.com)