Nishani mediave: Parandaloni
dramacitetin gjatë zgjedhjeve

Nishani mediave: Parandaloni<br /> dramacitetin gjatë zgjedhjeve
TIRANË - Presidenti Bujar Nishani ka organizuar një takim me personalite të medias në prag të fushatës zgjedhore. “Zgjedhjet janë moment i rëndësishëm social. Media përfaqëson një pushtet real. Ju mblodha për të kërkuar kontributin tuaj gjatë fushatës elektorale para dhe pas zgjedhjeve", ka theksuar fillimisht Nishani.

PARANDALONI ÇDOLLOJ DRAMACITETI

Duke argumentuar se së pari ndihma e mediave lipset "për të monituar në mënyrën më të mirë të mundshme, më transparente të mundshme procesin, mënyrën e realizmit të zgjedhjeve, plotësimit të standardeve dhe sjelljes së aktorëve të zgjedhjeve në Shqipëri”.

Nishani u ka kërkuar përfaqësuesve të mediave të parandalojnë çdolloj dramaciteti, pasi nuk ka vend që mund të kthehet në kosto sociale, institucionale për vendin. "Shoqëria jonë ka manifestuar sjellje emocionale. Ka qenë roli i medias, që në raste të caktuara nuk ka arritur të japë kontributin e saj për të frenuar, por në shumicën e rasteve, kam bindjen si qyetar i këtij vendi, të konstatoj edhe rolin e shkëlqyer të medias edhe në frenimin", tha Nishani.

Nishani ka theksuar se u ndal në këtë pikë, sepse gjatë fushatës ka pasur opinione nga kënde të ndryshme mbi një dyshim të madh për dështimin e procesit shoqëror, për një rrezik të përplasjes së shtresave sociale, shoqërisë sociale në ditën e zgjedhjeve pas zgjedhjeve.

QYTETARI, MË KORREKT SE PARTITË

Nishani ka bërë krahasimin midis sjelljes së qytetarë dhe partive pas zgjedhjeve, ku, sipas tij, qytetarët janë më korrektë se partitë. "Është vënë re sjellje korrekte nga ana e qytetarëve dhe krejt ndryshe nga faktorë të politikës", konstatoi Nishani. “Jam i bindur, që një nga siguritë më të mira të një ecurie normale është vetë opinioni publik”, theksoi Nishani. Ai ka kujtuar se ka pasur incidente para procesit, por që kanë qenë tërësisht të izoluara. "Çfarë ka ndikuar në imazhin e Shqipërisë ka qenë procesi paszgjedhor, ku roli i partive politika ka luajtur më shumë rol se qytetari".

KËTO ZGJEDHJE, MË TË RËNDËSISHMET

"Nga takimet publike, takimet me interlokutorë ndërkombëtarë në Shqipëri vihet re që zgjedhjet elektorale janë shumë të rëndësishem, madje më të rëndësishme se gjithë zgjedhjet e mëparshme", tha Nishani. Ai ka shtuar se "zgjedhjet më pas do të jenë edhe më të rëndësishme. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme, brenda standardeve të caktuara. Kjo është bindja ime e thellë, e konsoliduar".

KA REDUKTIM TË RETORIKAVE FYESE

"Ka një reflektim në këtë fushatë. Ka një reduktim të retorikës me fjalë fyese nga politikanët", ka konstatuar Nishani. Duke shtuar se, “emancipimi kulturor është garanci për zgjedhjet”.

LARTËSONI IMAZHIN E SHQIPËRISË

Nishani u propozoi drejtuesve të medias së shkruar dhe asaj elektronike edhe një element, që siç tha ai, “duket sikur s’ka të bëjë me zgjedhjet, por indirekt ka; lartësimi i një imazhi të bukurive të Shqipërisë”. Sipas Nishanit, kjo krijon relaks psikologjik, gjë për të cilën ne si shoqëri kemi nevojë. Por ka rëndësi dhe në lidhje me asetin e një shqiptari atje ku jeton në raport me qytetërimet e tjera.

SHTETI TË VLERËSOJË MEDIAT

Presidenti ka propozuar që, "institucionet e shtetit të gjejnë praktika afatshkurtra dhe afatmesme, të gjejnë mënyrën për të vlerësuar rolin e medias".

ZGJEDHJET, TË DREJTOHESHIN NGA ADMINISTRATA PUBLIKE

“Në kulturën, bindjen time isntitucionale do preferoja një model, që zgjedhjet në Shqipëri të drejtoheshin nga amdinistrata publike”. Këtë koncept ka propozuar presidenti Bujar Nishani përpara gazetarëve. Duke vijuar me faktin real, që “palët politike kanë zgjedhur variantin në rrugë bipartizan, që duhet respektuar”. Dhe më tej me faktin që, “të gjithë duhet të respektojnë me rigorozitet detyrën që kanë, ligjet. Në të kundërt do ta fusë institucionin e presidentit në një marrëdhënie kaotike, dhe raste të tilla kemi pasur”.

KQZ, TË PLOTËSOHEN VENDET VAKANTE

Presidenti Bujar Nishani ka dhënë edhe disa opinione të tij për KQZ-në, edhe pse, siç ka bërë të ditur ai, "infrastruktura zgjedhore nuk është në kompetencën e Presidentit". Nishani ka thënë se "KQZ duhet të plotësojë vendet vakante”, duke shtuar edhe që, “për KQZ-në ka përgjegjësi edhe opozita”.

HEQJA E VIZAVE ME SHBA-TË, E MUNDSHME

Gazetari Basir Çollaku ka pyetur presidentin Nishani mbi mundësinë e heqjes së vizave me ShBA-të. “Çdo angazhim, që ka të bëjë me shërbimin ndaj qytetarëve, është me vlerë për çdo institucion dhe individ. Për ne shqiptarët ka një konotacoion më të madh, se e kemi vuajtur izolimin. Përvoja e heqjes së vizave tregoi se jo vetëm që shqiptarët e merituan,por ditën të sillen në mënyrën më dinjitoze krahasuar edhe me vendet e rajonit. Pas disa lehtësirave nga Obama për të lehtësuar këtë proces, me punë mund të arrihet pa diskutim edhe heqja e vizave me ShBA-të

KIKIA: TË MOS BËHEMI PJESË E INSKENIMEVE

Kryeredaktori i edicionit informativ në “Top Channel”, Mentor Kikia, ka theksuar se “në këtë fushatë vihet re që mungon njëlloj konflikti, ashpërsie e herëve të kaluara, por është një fushatë, ku po luhet më shumë me programe”. Kësaj i ka shtuar faktin se “deri tani duhet të jemi të kënaqur për mënyrën si është zhvilluar fushata”. Kikia ka shtuar se deri më sot ka mbizotëruar një lloj lufte, që asnjë palë nuk pranon që t’i bindet verdiktit të popullit dhe secila i karikon zgjedhësit e tij me idenë se ne do fitojmë patjetër. Kjo ka prodhuar tension në mjedisin publik dhe politik shqiptar. “Jemi dëshmitarë të një mjedisi shumë agresiv, i cili me apo të drejtë është përcjellë nga mediat te opinioni”. Përballë opinioneve të ndryshme, që ne nuk duhet të përcjellim çdo gjë dhe përballë pyetjes: “nëse e bëjmë këtë, a dalim ne nga roli ynë për të informuar?”, Kikia është përgjigjur me variantin: Ajo që mund të bëjmë është të mos bëhemi pjesë e inskenimeve, që ose inskenohen nga palët ose ndodhin aksidentalisht. Nëse bëhemi pjesë e inskenimeve ne kemi bërë dëme, jo vetëm për fushatën, por dhe për agravimin e situatës”.

BALLA: S’JAM DAKORD PËR FILTËR TEK LAJMI

Moderatori Sokol Balla ka kundërshtuar idenë e vendosjes së nuancave të filtrit tek lajmi. Balla i ka propozuar Nishanit, që mesazhin e qetësisë parazgjedhore t’ua drejtojë partive politike. “Besoj do kemi një mesazh parazgjedhor. Mendoj se shqiptarët kanë nevojë për një mesazh nga presidenti”, theksoi Balla. Ai ka përmendur që këto zgjedhje, sado të rëndësishme të jenë, tashmë janë normalitet, siç duhet të jetë normalitet humbja, rotacioni. “Ky mesazh në radhë të parë udrejtohet politikanëve. Roli i mediave mbivlerësohet. Nëse gjërat shkojnë keq është faji i medias. Ne maksimumi mund të bëjmënjë parashikim. Por moti i politikës ka teka të paparashikuara. Ky vend ka nevojë për normalitet, që nuk i ka. Anormaliteti vihet re dhe te politikanët e rinj, dhe kjo është shenjë e keqe se ata do jenë gjatë në politikë. Gazetarët duhet të jenë tepër të kujdesshëm ta verifikojnë lajmin, por nëse lajmi ndodh ne nuk mund të mos e japim. Është tjetër gjë në ç’formë tonaliteti, por ne nuk mund të mos themi të vërtetën", komentoi Sokol Balla.

KURTI: FUSHATË TEPËR E SHTRENJTË

“Fushatë tepër e shtrenjtë në ndriçim, kamera, regji, lidhje satelitore. Janë gjithë këto para, që hidhen në një vend kaq të varfër për një mandat 4-vjeçar.
Nuk e di sa normale është kjo mënyrë për t’u kërkuar votën njerëzve?”, ka pyetur drejtoresha e edicionit informativ në “Vizion Plus”, Valbona Kurti.
Nishani i është përgjigjur se “duhen intrumenta të besueshëm dhe në trasparencë reale të shpenzimeve të partive. Do ishte vështirë të futeshe. Mirë do ishte të nxirrnim një produkt mbi trasparencën”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari