Mesazhi i ngushëllimit i Presidentit Nishani për familjarët e Veli Radës
Të nderuar familjarë të artistit të shquar të skenës dhe ekranit Veli Rada!
Sot në mëngjes mora vesh për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur dhe aktorit të nderuar të humorit shqiptar, zotit Veli Rada.
Ky lajm, ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e humorit që ai krijoi, më ka prekur jashtëzakonisht thellë. E konsideroj vërtet një humbje të madhe për kulturën tonë shqiptare dhe veçanërisht për gjininë e humorit që Veliu ushtroi vazhdimisht në Shqipëri.
E gjithë shoqëria shqiptare ndjen një dhimbje për këtë ndarje, sepse nuk do ta kenë më mes tyre për së gjalli në skenat e humorit dhe ekranet e televizorëve duke interpretuar skeçe dhe pjesë të tjera humoristike, nëpërmjet të cilave jo vetëm që i bënte njerëzit për të qeshur duke u falur momente argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me mençuri mjaft plagë të shoqërisë shqiptare.
Veli Rada do kujtohet përherë, se e vuri jetën e tij të thjeshtë në shërbim të humorit dhe të transmetimit të sportit të bukur të futbollit shqiptar, duke mbetur një qytetar i mirë, sportdashës shembullor dhe aktor vullnet plotë dhe optimist.
Veli Rada që në hapat e para të debutimit në Estradën e Tiranës para katër dekadash arriti të spikasë si një nga talentet më premtuese në fushën e aktrimit të trupës së saj. Me kalimin e viteve dhe sidomos me ardhjen e pluralizmit dhe masivizimin e humorit, do të ishin vitet e demokracisë ato që do e bënin atë një personalitet të arenës mbarëkombëtare shqiptare, me interpretimet tij virtuoze në sallat e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, etj. ku fitoi simpatinë e gjerë të krejt publikut artdashës të të gjitha trojeve shqiptare. Në rreth 40 vite ai na ka dhuruar një fond rolesh aktoreske që do mbeten përjetësisht në kujtesën tonë.
Duke ndarë në këto çaste me ju dhimbjen time më të thellë për ikjen e këtij artisti, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmin tuaj që do mbetet përherë i paharruar.
U prehtë në paqe shpirti i tij!
Me nderimin e pakufishëm për të dashurin tuaj.
Basha: Ngushëllime familjes, miqve e admiruesve të tij
Kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe admiruesve të Mjeshtrit të Madh të humorit, Veli Rada, të cilit Bashkia e Tiranës i pati akorduar edhe titullin "Mirënjohja e Tiranës".
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)