Nishani mbrëmje festive për figurat
e artit, të shkencës dhe të kulturës 

Nishani mbrëmje festive për figurat<br />e artit, të shkencës dhe të kulturës 
Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani dhanë një mbrëmje festive kushtuar shkencës, artit dhe kulturës shqiptare duke mikpritur dhe vlerësuar përfaqësues të spikatur dhe figura të shquara të artit dhe kulturës shqiptare.
 
Duke iu drejtuar të pranishmëve në radhët e të cilëve ishin shumë kompozitorë, regjizorë, muzikantë, aktorë, shkrimtarë, kritikë arti, këngëtarë, përkthyes, gazetarë dhe analistë, veprimtarë shoqërorë, historianë, piktorë, Kreu i Shtetit shqiptar, pasi i falënderoi për kontributin e tyre të vyer e të pazëvendësueshëm të dhënë ndër vite e dekada për lartësimin dhe pasurimin e trashëgimisë artistike dhe kulturore shqiptare, vuri në dukje se: “Ju dhe kolegët tuaj jeni pjesa më e respektuar, më kontribuuese, esenca dhe themeli i një shoqërie. Prandaj dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen dhe të vlerësoj të gjithë ata që punojnë, krijojnë dhe kontribuuojnë për vlerën më të madhe të një shoqërie, e së tashmes dhe e së ardhmes – civilizimin.”
 
Presidenti Nishani u bëri një homazh të ndierë ndaj të gjithë atyre artistëve dhe personalitete të shquara të kulturës shqiptare, të cilët u ndanë vetëm fizikisht gjatë gjithë këtij viti, duke i përmendur me respekt njëri pas tjetrit që nga Demir Hyskja, Teodor Laçon, Elida Cangonjin, Kristo Frashërin, Lazër Filipin, Arben Puton, Alfred Uçin e deri te Bujar Lako. “Emri, vepra dhe trashëgimia e tyre kulturore dhe artistike do të kujtohen përjetësisht.” – tha Presidenti, duke mbajtur një minutë heshtje së bashku me të pranishmit në shenjë nderimi ndaj mos harresës së kujtimit të tyre të përhershëm.
 
Në fjalën e mbajtur me këtë rast e Presidentit Nishani shprehu kënaqësinë për këtë mbrëmje kaq të veçantë e të këndshme duke vlerësuar punën e të pranishmeve si dhe të kolegëve të tyre: “Dëshiroj të nënvizoj se e mira jo vetëm ekziston e është mes nesh, por ne duhet të bëjmë që ajo të mbisundojë mbi të këqiat. Gëzimi është pjesë e shoqërisë, ashtu si edhe hidhërimi, por le të nënvizojmë fort që gëzimi, hareja dhe shpirti i paqtë duhet të dominojë në jetën tonë më shumë se sa hidhërimi. Prandaj këtë mbrëmje le t’ia kushtojmë, krahas nderimit dhe vlerësimit për personalitetet e artit, shkencës dhe të kulturës edhe këtyre dimensioneve, që kanë nevojë më shumë se kurrë jo vetëm të nënvizohen e të evidentohen, por edhe të kurohen e të pasurohen.”
 
“Në cilësinë e Presidentit të Republikës kam pritur në këtë Zyrë shumë autoritete të politikës, diplomacisë, shoqërisë civile, të mbrojtjes, të rendit, të ekonomisë, të shkencës dhe pa dashur të bëj asnjë qasje krahasuese mes jush dhe atyre, si dhe pa prentenduar se po shpall diçka të re – thjesht po shpreh një ndjesi, një ndjesi njerëzore që dihet dhe njihet, por që nuk është kurrë e tepërt të përsëritet – ju them se ju në këtë sallë dhe të gjithë kolegët tuaj jeni më të ndryshëm se të tjerët. Ju jeni sa të urtë, aq edhe rebelë. Sa liberalë, aq edhe konservatorë. Sa paqësorë, por aq edhe agresivë. Ju artistët, njerëzit e artit, të shkencës, që nuk ju rrok dot në fakt asnjë përkufizim, jeni të një tjetër lloji – jeni më të ndjeshëm, më të butë, më të lartë, jeni më universalë. Shumica e njerëzve që arrijnë të realizojnë diçka në këtë jetë, merren me anën e jashtme të njeriut. Ju artistët, njerëzit e shkencës e të kulturës merreni me brendësinë e tij. Ju eksploroni mikrokosmosin njerëzor. E bëni këtë për ta kuptuar sa më mirë njeriun, për ta zbutur atë, për ta mbrojtur brendësinë e tij nga pushtimi i vrazhdësisë, i asaj vrazhdësi që është e përditshme dhe që e sulmon dhe e rrezikon njeriun çdo çast. Puna e bërë me merak, me zotësi, me dije,me talent, puna e gjithkujt në çdo fushë, kur ajo konsiderohet maksimalisht e mirë për t’u vlerësuar, ajo cilësohet art. Pra më të mirët e punëve të kësaj bote takohen pikërisht te arti që është përsosshmëria. Pikërisht te artisti që është perfeksionisti. – theksoi Kreu i Shtetit.
 
Pasi vuri në dukje se Shqipëria megjithëse një vend i vogël dhe shqiptarët një popull i paktë në numër, ia kanë dalë mbanë t’u mbijetojnë vorbullave të kohëve, vrazhdësisë së fatit, Presidenti nënvizoi se ne e kemi ruajtur identitetin, historinë, kulturën dhe zakonet tona: “Në historinë tonë, në jo pak raste, duke mos mundur të mbrohemi përballë superioritetit numerik të të tjerëve, ne shqiptarët kemi gjetur dhe kemi ndjekur një rrugë tjetër. Kemi përdorur një tjetër mënyrë. Kemi zbatuar një tjetër strategji. Kemi marrë në dorë bojë dhe penë. Kemi tendosur telat e lahutës. Kemi ndezur ngjyrat e fustanellave. Jemi mbrojtur me anë të artit, përmes këngëve, valleve, baladave, poezive, poemave. E kemi arritur këtë duke i armatosur shqiptarët në vend të barutit me mijëra vargje, që i kemi mësuar përmendësh ndër shekuj. I kemi armatosur me artilerinë e daulleve që na ftojnë për bashkim. Me anë të lahtuës që vajton. Gajdes që qan. Gjakut që zien. Zemrës që rreh dhe kraharorit që buçet. Ju, njerëzit e artit, të shkencës dhe të kulturës jeni qirinj që nuk fikeni kurrë. Diej që ndriçoni qiellin tonë herë-herë të zymtë. Jeni udhërrëfyesit që shpesh herë na nxirrni nga labirinthet e fatit. Jeni ata që e gdhendni fjalën më shkatërruese se bomba. E prekni telin e instrumentit apo tastierën më fuqishëm se tërheqja e çdo këmbëze arme.”
 
“Ne shqiptarëve, jo rrallë na mungon qasja serioze edhe në çështje të rëndësishme, por vetëm me artin nuk bëjmë shaka. Kemi poetë që janë menduar për vite për një varg. Kemi skalitës gjenialë të mendimit. Kemi autporë botërorë. Ne mund të vazhdojmë të ekzistojmë pa shumë gjëra, pa shumëçka, por besoj se nukmund të ekzistojmë dot asnjë ditë pa art. Është e njohur që arti e bën individin të përballë sfida, por unë besoj se në botë zor se ka ndonjë vend në përmasa si Shqipëria që mbijetoi ndër shekuj, rezistoi dhe ruajti identitetin e vet përmes artit. Ju lutem, mbajeni gjallë këtë traditë të mrekullueshme! Vazhdoni ta shndërroni kaosin e emocioneve të zjarrta të shqiptarëve mesdhetarë në rregull qetësie, harmonie, për të mirën e secilit e të gjithëve! Mos u ndalni së ndeshuri me sjellje dhe qasje të pamerituara ndaj jush, edhe ndaj njerëzve të thjeshtë që duan ta jetojnë jetën e tyre! Vazhdoni t’u falni shqiptarëve emocione njerëzore si ky i sotmi me praninë tuaj që e sollët edhe në këtë sallë. Jepuni njerëzve shpresë! U thoni atyre se nëse nuk nuk e mendojnë të ardhmen, do të mbeten pa dritë. Njerëzit e artit, të shkencës e kulturës dhe emancipimi i ngjisin shpirtrat e njerëzve në majat më të larta. Ju i ngjisni, por ndodh që shpeshherë ata e refuzojnë. Edhe për shkak të refuzimit që i bëjnë asaj që ju u ofroni, edhe rrokullisen, por ju kurrë nuk mërziteni. Dhe ju lutem, mos u mërzisni! Ju kurrë nuk lodheni dhe unë ju them mos u lodhni! Zbrisni, i merrni përsëri ata, dhe përsëri e sërish ngrijini lart! Vetëm ju mund ta bëni këtë gjë më mirë se kushdo. Dhe unë besoj. Institucioni që përfaqësoj beson shumë se ju, ashtu siç e keni bërë këtë pjesë të mrekullisë sonë, të atij dimensioni që kemi, mund dhe duhet të vazhdoni ta bëni. Dhe për të gjitha këto, unë ju falënderoj përzemërsisht!” – ishte apeli i Presidentit Nishani drejtuar të pranishmëve, të cilëve u uroi gjithashtu: “Gëzuar Vitin e Ri! Gëzuar festat e fundvitit! Paçi një vit të mbarë!”
 
Kreu i Shtetit vlerësoi zotin Mihal Luarasi dhe këngëtarin e shquar shkodran Ludovik Gjergji (Bik Ndoja) (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.Ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” u çmuan: zonja Ana Lalaj dhe zotërinjtë Ferit Duka dhe Uran Butka. Presidenti Nishani nderoi gjithashtu me Titullin “Mjeshtër i madh” Skënder Sallakun (pas vdekjes), zonjat Marjeta Larja, Flutura Açka si dhe zotërinjtë Aleksandër Lalo, Edmond Tupja, Altin Basha, Gazmend Leka, Koço Devole, Pashk Përvathi, Robert Radoja dhe Shpëtim Saraçi.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje