Data për zgjedhjet 2025/ PS dhe Celibashi i propozojnë presidentit 11 majin, Klosi: T'ju lemë më shumë kohë emigrantëve! PD refuzon konsultimet, Berisha: 'Haram Bego' vendos çfarë i thotë Rama

TiranePS i propozon presidentit 11 majin.

Presidenti Bajram Begaj vijoi sot me konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve 2025. Tek presidenca ishin përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe kreu i grupit parlamentar Niko Peleshi.

"Për të përgatitur sa më shumë këtë proces dhe për ti lënë më shumë kohë emigrantëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje kemi kërkuar datën 11 maj,  data më e skajshme e mundur nga hapësira që të jep kodi zgjedhor të jetë data e zgjedhjeve. Do të donim shumë që të gjithë emigrantët të nisin procesin e tyre të regjistrimit dhe të përgatiten për ditën e votimit" tha sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi pas daljes nga presidenca.

Presidenti u takua më pas edhe me kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi. Celibashi deklaroi pas takimit se institucioni që drejton ka propozuar datën 11 maj për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025. 

Orari për të takuar përfaqësuesit e PD-së ishte 10:30, ndërkohë në emër të Partisë Demokratike kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi deklaroi pak ditë më parë se do të refuzoj konsultimet duke e akuzuar se ishin farsë, pasi data e zgjedhjeve është paracaktuar nga socialistët.

Ndërsa Berisha sot në një konferencë nga arresti shtëpiak me gazetarët, e quajti presidentin si 'Haram Bego' që bën atë që i thotë kryeministri Rama. 

'Në rast se ekspertët tanë e gjykojnë se duhet kohë për votën e shqiptarëve jashtë vendi, nuk kemi kundërshti për të gjetur kohën më të përshtatshme, por ju garantoj që Haram Bego cakton vetëm datën që i thotë Rama, mos bëhemi qesharakë.'

Më 21 nëntor presidenti pati takim me aleatin e PD-së, Partinë e Lirisë, që zgjodhën të pranojnë uljen në tryezën e Begajt për datën e zgjedhjeve. Ata kërkuan nga presidenti të dekretojë çdo datë që i lejon Kodi Zgjedhor, veç asaj që kërkon PS.

Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësuesit e PSD kërkuan datën 4 maj si ditën kur shqiptarët të zgjedhin parlamentin e ardhëm, ndërsa Lulzim Basha shkoi te Begaj si përfaqësues i një grupimi politik, atij të demokratëve euro-atlantikë. Për të nuk ka rëndësi data, por standardi i zgjedhjeve.

Kreu i shtetit ka zhvilluar takime edhe me krerët e tjerë të partive të vogla opozitare që kërkuan zgjedhje më 4 maj.

Lajmi ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:18
Zgjedhjet 2025/ Begaj: I kënaqur që faktori politik u përfshi si drejtpërdrejtë, ashtu dhe tërthorazi! Kthejini zgjedhjet e pranverës së ardhshme në histori suksesi

1731949927_bajrambegaj.JPG

Presidenti Bajram Begaj

Presidenti i republikës, Bajram Begaj, njoftoi sot (25 Nëntor) mbylljen e procesit të konsultimeve me faktorin politik, për datën e zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2025.

Kreu i shtetit dha edhe një mesazh në rrjetin social Facebook pas përfundimit të konsultimeve, teksa sot ishte dita e takimeve me përfaqësues të PS, PD (nuk u paraqitën) dhe kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi.

Presidenti u shpreh i kënaqur ndër të tjera që faktori politik u përfshi direkt apo indirekt me mesazhet e përcjella që u dëgjuan, teksa theksoi se “detyra madhore e tyre është t’i shndërrojnë zgjedhjet e e pranverës së ardhshme në histori suksesi”.

Mesazhi i Presidentit të Republikës:

“Sot mbylla procesin e konsultimeve me faktorin politik dhe institucional për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.

Kompetenca për caktimin e datës së zgjedhjeve i takon Presidentit të Republikës, por unë jam shumë i kënaqur që i gjithë faktori politik parlamentar u përfshi me opinione dhe sugjerime në këtë proces, si drejtpërdrejt me pjesëmarrje në takimet konsultuese, edhe në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet përcjelljes në rrugë të tjera të preferencave partiake.

Nga konsultimet vura re se, në tërësi, opinionet udhëhiqeshin nga interesi më i lartë i zgjedhësve dhe jo nga përllogaritjet meskine që priten rëndom në raste të tilla.

Konvergjenca e mendimeve, përtej dallimeve në qëndrimet politike, ishte shfaqja më domethënëse e kësaj konsulte.

Caktimi i datës së zgjedhjeve për mua nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, por është, së pari, një sprovë e fuqishme bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe angazhimi i të gjithë faktorit politik dhe institucional në emër të zgjedhësve dhe për zgjedhësit, sikurse është një rast domethënës për të risjellë në vëmendje rëndësinë vendimtare që kanë zgjedhjet për konsolidimin e demokracisë parlamentare.

Detyra madhore e aktorëve politikë është t’i shndërrojnë zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2025 në histori suksesi për shqiptarët dhe demokracinë shqiptare, ku duhet të shkëlqejë zbatimi i ligjit, korrektesa dhe etika në komunikimin e platformave, respekti për zgjedhësit dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë”.

Postimi i presidentit Bajram Begaj në Facebook
Ora 13:29
KQZ propozon 11 majin për zgjedhjet parlamentare 2025, Celibashi pas konsultimit me Begajn: Na duhet kohë të jemi në dispozicion të diasporës

 

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi foli për gazetarët pas konsultimit me presidentin e Republikës, Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Celibashi deklaroi se data e propozuar nga institucioni që drejton është data 11 maj, që përkon dhe me propozimin e Partisë Socialiste.

'Nuk mund ta them tani dhe sot, të gjykoj që janë në axhendën e gjithsekujt në të ardhmen. Me rëndësi fakti që ne si institucion përgjegjës shohim datën 11 si datën e cila i krijon KQZ mundësinë ta përgatis procesin nga jashtë me të gjitha parshikimet. Ndryshimet e kodit lidhur me votimin  nga jashtë u bënë vonë dhe koha që i ngeli KQZ na shtyn që të nxisim presidenti që data 11 maj të jetë më e përshtatshmja.

Pra koha dhe mundësia që kemi në dispozicion për votën e diasporës. Nuk e them dot, pasi caktimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti në çdo njërën prej datave të kodit është e ligjshme dhe ne jemi të detyruar ti përgjigjemi. Procesi i konsultimit këtë synon sa jemi gati të zhvillojmë zgjedhje në datën x apo y. Ne rekomanduam fort që të jetë data 11, edhe sepse kjo përputhet me kërkesën e një partie politike. Por ne nuk shohim agjendën politike.'

Ora 12:49
Data e zgjedhjeve/ Konsultimet me presidentin, Berisha: 'Haram Bego' cakton atë që i thotë Rama

1732535669_berishasali.jpg

Në konferencën e sotme me gazetarët Sali Berisha u pyet dhe për konsultimet e presidentit Begaj me partitë politike për datën e zgjedhjeve parlamentare 2025.

PD kanë refuzuar ftesën e Begaj për konsultimin e datës, ndërsa Berisha u shpreh sot në përgjigje ndaj gazetarëve, se 'Haram Bego' vendos vetëm atë çka i thotë Rama. 

'Në rast se ekspertët tanë e gjykojnë se duhet kohë për votën e shqiptarëve jashtë vendi, nuk kemi kundërshti për të gjetur kohën më të përshtatshme, por ju garantoj që Haram Bego cakton vetëm datën që i thotë Rama, mos bëhemi qesharakë.'

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miku: 25/11/2024 13:50

    Druaj se mundimi i KQZ-se do te shkoje dëm tani qe Rama po ben fudhate jashte shtetit, edhe PD-ja do te terhiqet ne fund. Kohe e leke te çuara dem.

    Përgjigju
  • Den: 25/11/2024 13:12

    Vajti 80 vjeç dhe nuk hoqi dore nga fjalori i denje vetem per nje rrugaç ordiner Mjere opozita nga kush drejtohet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Mesazhi i teologut Shkira: Njeriu nuk lodhet së dashuri, aq më tepër në këto kohë trazirash

Krishtlindjet/ Mesazhi i teologut Shkira: Njeriu nuk lodhet së dashuri, aq më tepër në këto kohë trazirash