Krezu i Shtetit, Bujar Nishani ku ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të mirënjohur, Petraq Xhillari i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 71-vjeçare. 

Ndarja nga jeta e  Petraq Xhillari, për Presidentin Nishani është një humbje e ndjeshme jo vetëm e familjarëve, por për të gjithë artdashësit shqiptarë të teatrit popullor dhe kinematografisë ku kontributi i këtij aktori ka qënë vazhdimisht, nga viti në vit, prezent.

Mesazhi i ngushëllimit të Nishanit familjarëve të Petraq Xhillari
Të dashur familjarë të aktorit të nderuar, Petraq Xhillari!

Ndarja nga jeta e të dashurit tuaj, Petraq Xhillari më ka pikëlluar thellë. Kjo është një humbje e ndjeshme, jo vetëm e juaja personale, por për të gjithë artdashësit shqiptarë të teatrit popullor dhe kinematografisë ku kontributi i këtij aktori ka qënë vazhdimisht, nga viti në vit, prezent.

Dihet nga të gjithë kontributi i pazëvendësueshëm i Petraqit në interpretimin e mjaft roleve në teatër dhe kinematografi, të cilët edhe pse nuk konsiderohen role kryesore ishin kthyer në të vërtetë në role të pazëvendësueshme ku çdo film apo dramë e painterpretuar prej tij do mbetej si e paplotë.

Do mbeten të ngulitura në mendjet dhe ndërgjegjen e çdo artdashësi që ka parë të gjithë filmat apo dramat ku ka interpretuar ai, por të pashlyera do mbeten emocionet e përjetimeve të dramave “Arturo Ui”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Prometeu”, etj., apo interpretimet e tij në filmat “I teti në bronx”, “Njeriu me Top”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, etj. Rolet  e luajtura prej tij u shquan për dinamikën dhe energjinë, e shoqëruar nga gjeste ekspresive dhe mënyrë sjelljeje te besueshme, gati natyrale.

Që prej vitit 1969 kur ai nisi  karrierën profesionale në Teatrin Popullor në Tiranë dhe deri në  ditët që u nda nga jeta Petraqi punoi pa u lodhur, me besim tek vetja e tij, duke krijuar një standard të lartë për rolet dytësore apo episodike, ku me interpretimin e tij të talentuar i ktheu gati në role parësore për çdo gjini, kinematografike apo teatrale.

Petraq Xhillari do kujtohet kurdoherë prej nesh edhe për shkak të trashëgimisë që na ka lënë, jo vetëm për interpretimin mbresëlënës të roleve të tij aktoreske, por edhe për kulturën e qytetarisë dhe të urtësisë që e karakterizonte si njeri.

Duke ndarë në këto çaste me ju dhimbjen time më të thellë për ikjen e këtij artisti, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmin tuaj që do mbetet përherë i paharruar.

U prehtë në paqe shpirti i tij!

Me nderimin e pakufishëm për të dashurin tuaj,

Me respekt!

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)