Presidenti Buajr Nishani, në përmbyllje të vizitës shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë, ka bërë thirrje për nxitje të turizmit mes dy vendeve.
 
“Turizmi ynë veror me një bregdet të mrekullueshëm në Adriatik dhe Jon, si dhe turizmi i juaj dimëror me pista olimpike për ski dhe resorte të mrekullueshme dimërore, janë  asete jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Të ndikojmë të gjithë së bashku që turizmi të njohë një zhvillim sa më të madh mes vendeve tona.” ka thënë Nishani.
 
Gjatë pritjes që Nishani mbajti në Sarajevë, i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë Odeta Nishani, presidenti tha se fryma e solidariteti dhe paqes, duhet të jetë rruga e përbashkët për të gjithë rajonin.
 
“Në këtë kuadër, shpresoj dhe besoj që edhe qytetarët e Bosnjës si dhe ata te Kosovës, do të kenë mundësi të udhëtojnë në vendet reciproke pa pengesa si fqinj të mirë dhe të qarkullojnë lirshëm mallrat dhe njerëzit në këto dy vende, por edhe të njihen dokumentacionet e lëshuara nga institucionet e të dyja shteteve. Rruga e vendeve tona është e qartë dhe e padiskutueshme drejt integrimeve Euro-Atlantike dhe Bashkimit Evropian. Integrimi i të gjithë rajonit tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO e bën Ballkanin me të sigurt, e bën Evropën me të qetë dhe më të integruar,” u shpreh Kreu i Shtetit.
 
Në fund të fjalës së tij, presidenti u bëri thirrje biznesmenëve të pranishëm që të kontribuojnë sa më shumë në zhvillimin ekonomik dhe të biznesit mes Shqipërisë dhe Bosnjës në veçanti, dhe rajonit në përgjithësi.
 
Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani vizituan edhe lagjen e Bashçarshisë, ku u takuan dhe u përshëndetën përzemërsisht me bashkatdhetarë të shumtë që jetojnë dhe punojnë në Sarajevë.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)