Presidenti i Republikës Bujar Nishani shpreh shqetësimin për blerjes së votave duke theksuar se jo vetëm që ekziston, por ata që mundohen ta mohojë thjesht e konfirmojnë këtë si fenomen.

“Kush mendon se do të na mbushë mendjen se ky fenomen nuk ekziston nuk bën asgjë tjetër por konfirmon faktin se tenton fshehjen e atij fenomeni jo vetëm të turpshëm dhe kriminal por edhe fyes për çdo shqiptar. Mjafton që çdo media apo gazetar të investigojë mbi këtë fenomen dhe do mundet ti sjell opinionit plot të vërteta. Blerja e votës tjetërson vullnetin real të qytetareve dhe pjell korrupsionin.”-ka thënë Nishani gjatë një interviste me gazetarin Çim Peka.
 
Më tej Presidenti Nishani flet për tensionin që sipas tij po rri pezull dhe uron që të mos transformohet në një përplasje të dëmshme për të gjithë.

“Në tërësi shoh se ka një tension që rri pezull dhe që shpresoj të mos transformohet në një përplasje të dëmshme për të gjithë. Kam ndjekur me shqetësim disa konstatime të Raportit të parë të ODIHR, veçanërisht mbi përdorimin e administratës publike në interes të partive të caktuara politike. Do t'i kërkoja veçanërisht strukturave të Policisë së Shtetit të qëndronin larg përzierjes në fushatën elektorale”.-është shprehur Nishani.

Intervista e plotë
Cili është gjykimi juaj mbi klimën e kësaj fushate elektorale?

Unë kam vlerësuar dhe vlerësoj çdo rast të fushatës së mbështetur tek platforma, programi dhe propozimet konkrete për shërbime ndaj qytetarëve. Në tërësi shoh se ka një tension që rri pezull dhe që shpresoj të mos transformohet në një përplasje të dëmshme për të gjithë. Kam ndjekur me shqetësim disa konstatime të Raportit të parë të ODIHR, veçanërisht mbi përdorimin e administratës publike në interes të partive të caktuara politike. Do ti kërkoja veçanërisht strukturave të Policisë së Shtetit të qëndronin larg përzierjes në fushatën elektorale.

Janë raportuar në mënyrë të veçantë nga portalet dhe rrjetet sociale shumë incidente që kanë të burim blerjen e votës. Ju vetë keni bërë thirrje kundër këtij fenomeni. Ambasadori Lu gjithashtu. Pse mendoni se ky fenomen është bërë kaq shqetësues dhe a cenon një gjë e tillë standardin e zgjedhjeve?
Kush mendon se do të na mbushë mendjen se ky fenomen nuk ekziston nuk bën asgjë tjetër por konfirmon faktin se tenton fshehjen e atij fenomeni jo vetëm të turpshëm dhe kriminal por edhe fyes për çdo shqiptar. Mjafton që çdo media apo gazetar të investigojë mbi këtë fenomen dhe do mundet ti sjell opinionit plot të vërteta. Blerja e votës tjetërson vullnetin real të qytetareve dhe pjell korrupsionin.

Ambasadori Lu ka lënë të kuptohet se ka dhe prova për një fenomen të tillë.Po ju a keni prova?
Nuk është detyra e Presidentit të mbledhë provat. Unë pres që institucionet ligjë zbatuese dhe subjektet elektorale ti mbledhin këto prova. Është detyrë e tyre.

Në Vorë po ndodh diçka e paprecedentë në raport me sulmin që institucione shtetërore po i bëjnë biznesit të kandidatit të opozitës. Kryetari i Kuvendit i përfshirë në këto debate ka deklaruar se biznesin e kandidatit të opozitës e bllokuam pas informacionit nga SHISH-i, se mielli i asaj fabrike po helmonte njerëzit. Duket si histori filmash dhe jo serioze për të pyetur Presidentin e Republikës për debate të tilla, por kur këtë e thotë Kryetari Kuvendit të Shqipërisë me pretendimin se informacionin e ka marrë nga SHISH, jam i detyruar të bëj një pyetje të tillë. A jeni informuar ju si President i Republikës dhe shefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga drejtuesit e SHISH?
Së pari dua të theksoj faktin se nuk do të ndërhyjë në debatin politik elektoral të palëve. Nuk e kam bërë këtë as kur kam qenë ministër e jo më tani. Kam ushtruar detyrën e Ministrit të Brendshëm në dy fushata elektorale, në atë të 2009 dhe atë të 2011 dhe nuk jam përfshirë as edhe një sekondë të vetme në fushate. Vendosa në atë kohë një model të ri. Në lidhje me informacionet që ju përmendët, unë nuk e kam patur kurrë këtë informacion as nga SHISH dhe as nga ndonjë institucion tjetër. Nëse këto institucione e kanë patur këtë informacion dhe nuk e kanë vënë në dijeni Presidentin e Republikës ato kanë shkelur ligjin pasi çështja e shëndetit dhe sigurisë së jetës së qytetareve është prioriteti kryesor i Sigurisë Kombëtare.

Ka një debat mbi iniciativën e dekriminalizimit të politikës. Prokurori i Përgjithshëm është shprehur se po heton të kaluarën e kandidatëve. Opozita e tërhoqi një kandidat të saj për shkak të së kaluarës së tij. Mazhoranca nuk po e bën një gjë të tille për të paktën tre kandidatë siç raportojnë dhe mediat afër saj. Zoti President, a jeni përfshirë ju në këtë proces dhe cili është gjykimi juaj?
Unë ju siguroj se do të jem shumë i angazhuar nëse forcat politike nuk zbatojnë marrëveshjen e arritur në Parlament për dekriminalizimin. Nëse ne, nuk do ta trajtojmë me seriozitetin dhe forcën e duhur rrezikojmë të krijojmë ambientin e përshtatshëm që krimi i organizuar të transformohet në një strukturë klasike të Mafias, çka do të ishte fatale për shqiptarët. Ndaj duhet një angazhim serioz i të gjithë aktorëve. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen për miqtë tanë, SHBA-të, për angazhimin shumë serioz që kanë ndermarrë për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë çështje.

Dhe pyetja e fundit përsa i përket zgjedhjeve. A do pranoni ju si President i Republikës të njihni zgjedhje me standarde të cenuara? E thënë më qartë, sigurisht që janë organet përkatëse që merren me këtë gjë, por në raste se opozita sjell fakte të mjaftueshme dhe të pakontestueshme mbi cenimin e barazisë se votës, cili do jetë qëndrimi juaj?
Presidenti i Republikës do të jetë gjithmonë një zë i fortë, i drejtpërdrejtë dhe i paanshëm i mbrojtjes së interesit publik dhe të atij të çdo individi, pavarësisht se kujt do ti pëlqej dhe kujt jo.

Reforma në Drejtësi. A ka nevojë Shqipëria realisht për një reformë në drejtësi?
Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri, një prioritet dhe rrugë pa alternativë. Pa krijimin e një sistemi të drejtësisë profesioniste, të pavarur dhe me integritet, shoqëria jonë nuk do të mundet të përparojë. Që kjo reformë të jetë e suksesshme ajo duhet të jetë e vërtetë, gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. Në të kundërt, nuk do të sjellë ndonjë realitet të ri. Reformën në sistemin e drejtësisë nuk mundet ta udhëheqin juristët e spikatur të ish- mekanizmit represiv të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe as simbolet e fenomeneve më negative të gjeneruara në drejtësi gjatë gjithë këtyre viteve. Atë do mund ta bëjnë realitet specialistët e gjeneratës së re të arsimuar dhe edukuar me doktrinën e re të jurisprudencës sipas modelit europian. Reforma në drejtësi duhet të fillojë me krijimin e një Gjykatë të Veçantë për hetimin dhe gjykimin e politikanëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe për konfiskimin e pasurive të paligjshme të tyre. Gjykatat aktuale nuk po munden ta bëjnë dot këtë.

Ka dhe një akuze gati konkrete ndaj jush nga përfaqësues të mazhorances. Fatmir Xhafa akuzoi KLD se 10.000 deri në 20.000 euro paguhet për vlerësimin e një gjyqtari. Ju si kryetar i KLD, si i vlerësoni këto deklarata?
Për fatin e mirë sot në Shqipëri, qytetarët e njohin ndershmërinë apo përlyerjen, integritetin apo degradimin e secilit prej nesh në mënyrë perfekte. Askush nuk i fshihet dot qytetarëve ashtu siç ai është. Në lidhje me disa akuza të pasqyruara në Raportin e Komisionit të maxhorancës parlamentare, natyrisht që unë do ti ndjek me shumë vëmendje dhe po i adresohem Prokurorisë së Shtetit për hetime të thella dhe të gjera dhe me pastë gjitha hallkave të tjera të drejtësisë.

Politika e Jashtme duket se për herë të parë pas 25 vjetësh pluralizëm, ka një tjetër dinamik. Kryeministri Rama pati deklaruar zero problem me fqinjët. Sot ndodhemi në një raport të “ngrirë” po thuajse me të gjithë fqinjët, përjashto miqësinë personale të Ramës dhe Vuçiç. Cila është pikëpamja juaj?
Shqipëria ka një kontribut të jashtëzakonshëm në interes të paqes dhe sigurisë si në aspektin rajonal edhe në atë global. Shqipëria si anëtare e NATO-s ka qenë në vijën e parë të kontributit për lirinë në Afganistan, Irak, Çad, etj. Shqipëria është promotore e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal përmes rritjes së besimit. Kemi mjaft çështje për të negociuar dhe zgjidhur përmes dialogut me fqinjët. Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi edhe me Serbinë duhet të vijojë të rritet dhe përmirësohet. Jam i bindur në vijimin e kësaj politike nga ana e Shqipërisë.

Dhe çështja e fundit ka të bëjë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare ju ka refuzuar të kaloni pushimet në rezidencat qeveritare Dhërmi, Vlorë, Pogradec dhe Dajt. Cila është e vërteta juaj për këtë gjë dhe a kemi pasur më parë një precedent të tillë?
Me vjen shumë zor të flas për një çështje të tillë që nuk i shërben asnjë prej atyre qindra halleve të përditshme që kanë shqiptarët. Por duke e parë në aspektin e asaj që reflekton si mentalitet, si kulturë e një degradim të emancipimit shoqëror, padyshim që është tregues i një modeli qesharak që duhet mëshiruar.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)