TIRANË, 24 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim të veçantë delegacionin e Parlamentit të Suedisë të kryesuar nga Presidenti i këtij Parlamenti, Urban Ahlin, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe sfidat, me të cilat po përballen sot të dy vendet.
Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe shprehu vullnetin për ngritjen e tyre në nivelet më të larta të mundshme.
                                Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Shqipërisë si përmes projekteve të zhvillimit social-ekonomik, ashtu edhe në procesin e integrimit evropian të vendit dhe mbështetjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Presidenti Nishani e siguroi Kryeparlamentarin suedez se orientimi evropian i vendit është orientimi i vetëm dhe më i rëndësishmi, që ka një mbështetje shumë të lartë popullore dhe politike në Shqipëri.
Presidenti i Republikës i informoi deputetët suedezë mbi iniciativën e tij të ndërmarrë për reformën në fushën e drejtësisë, si dhe nevojën e përqendrimit të reformës tek reformimi i sistemit dhe jo tek emrat e përveçëm.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes parlamenteve të dy vendeve dhe theksoi nevojën e intensifikimit të kontakteve mes parlamentarëve të të dy vendeve.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për çështjet e sigurisë dhe kërcënimin që i vjen mbarë botës nga veprimet e njëanshme ushtarake, si dhe terrorizmi ndërkombëtar. /a.ke/