TIRANË, 23 Shkurt/ATSH/-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti në një takim Prof. Marco Impagliazzo, President i Komunitetit Sant'Egidio, si dhe delegacionin që e shoqëronte.
Presidenti Nishani vlerësoi punën e kryer deri tani nga Komuniteti Sant'Egidio në Shqipëri, si dhe kontributin shumëvjeçar, si dhe miqësinë e thellë që ekziston prej më shumë se 25 vitesh.  "Aktiviteti, i cili do të zhvillohet me krerët e komuniteteve fetare botërore në Shqipëri në datat 6-8 shtator 2015, është një shenjë e vlerësimit ndaj vendit tone dhe që vjen një vit pas vizitës historike të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut I, në Tiranë", tha Nishani
Po ashtu, Presidenti Nishani nënvizoi se Shqipëria për shkak të harmonisë fetare përbën edhe një shembull të mirë të tolerancës dhe respektit dhe mund të kontribuojë modestisht në vendosjen e paqes në botë.
Ndërsa, Prof. Impagliazzo vlerësoi rolin e Presidentit të Republikës, si dhe e falënderoi atë për mbështetjen e pakufizuar për realizimin e takimit në Tiranë të krerëve botërore fetarë, por edhe Presidentëve të rajonit si dhe politikanëve e humanistëve të cilët nëpërmjet diskutimeve do të përcjellin mesazhe të paqes e harmonisë fetare. Kreu i Komunitetit Sant'Egidio u shpreh gjithashtu se Shqipëria përbën shembull të bashkekzistencës dhe që Evropa dhe mbarë bota mund të përdorë si model, prandaj edhe aktiviteti i këtij profili të lartë ka përzgjedhur Shqipërinë.
Më tej biseda u përqendrua në aktivitetet e Komunitetit Sant'Egidio në Shqipëri, si në Shkodër, Tiranë e Elbasan me shkollat e paqes, ndihmën ndaj moshave të treta si dhe të varfërve./i.v/ /a.ke/