Edhe pse Presidenti Nishani nuk mori pjesë në pritjen e organizuar nga kryeministri Rama po për këtë çështje, kreu i qeverisë nuk ka munguar. Ajo që ra në sy fillimisht ishte mungesa e kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili iu bashkua ceremonisë pak më vonë, por ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri.
Duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, Presidenti Nishani u ndal edhe tek vijimi i reformave. Kreu i Shtetit u shpreh se marrja e statusit kandidat është meritë e të gjithëve, duke falënderuar KE që njohu përpjekjet e Shqipërisë dhe arritjet e deritanishme.
“Pas marrjes së statusit të vendit kandidat hyjmë në një etapë tjetër. Mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan. Sot është një ditë për të falënderuar për të gjithë ata që kanë kontribuar në dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Statusi është guri më i ri në këtë ndërtesë të shtrenjtë për ne, është arritja jonë e përbashkët, e të gjithëve, pa dallim.
Marrja e statusit është një njohje e ndryshimeve thelbësore në vendin tonë, në sajë të përpjekjeve të bëra. Kjo është konfirmuar edhe nga KE gjatë 2 viteve të fundit. Përshëndes njohjen e këtyre zhvillimeve nga KE. Sot është dita për të reflektuar për çdo gjë që kemi bërë deri kur arritëm këtu. Duhet reflektuar për të gjitha vonesat që nuk duhen përsëritur. Sot është dita për të shikuar përpara. Një sfidë u mbyll marrja e statusit. Një tjetër duhet të hapet, që ka të bëjë me nisjes e punës për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë. Me rëndësi është lufta ndaj korrupsionit, reforma në gjyqësor, dialogu politik, ndërveprimi institucional, forcimi i shtetit ligjor, administratë funksionale”, tha Presidenti Nishani.
Danielson: Statusi hap me rëndësi, të vijohet me reformat
Në fjalën e tij, Drejtori i Zgjerimit në KE, Danielson përgëzoi Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Dua t’ju përgëzoj për përpjekjet që keni bërë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky është vetëm një hap, por vendi duhet të fokusohet edhe në procese të tjera që duhen përmbushur. Kështu është me rëndësi reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit. Duam të mbështesim Shqipërinë në këto përpjekje për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE”, tha Danielson.
Rokanas: Marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, me rëndësi për rajonin
Ambasadori grek në Tiranë, Rokanas tha se Shqiëria ka bërë hapa në drejtim të integrimit evropian, duke marrë kështu statusin e vendit kandidat. Duke theksuar rëndësinë e vijimit të reformave, Rokanas tha se marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në BE, është me rëndësi për gjithë rajonin.
“Dua të vë në dukje përpjekjet e Shqiptarëve në rrugën e integrimit europian dhe për të ardhmen e vendit. Komplimentoj të gjitha forcat politike për angazhimin dhe qëllimeve të qarta që kanë treguar në interes të integrimit europian. Shqipëri europian i shqiptareve është i rëndësishëm për ecjen përpara të vendit në rrugën drejt BE. Shqiptarët i përkasin BE, dhe të gjithë kanë konkluduar forcat në këtë drejtim. Vlerësoj të gjithë që kanë punuar për të bërë hapa konkretë e domethënës në këtë drejtim.
Gjithçka tani është një çështje kohe, dhe vendi duhet të vazhdojë të ecë përpara. Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë, është lajm i mirë për rajonin”, tha Rokanas.
Gaiani: Zgjerimi, me prioritet edhe gjatë presidencës italiane të BE
Ambasadori i Italisë në vendin tonë Massimo Gaiani uroi Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, duke vlerësuar përpjekjet e bëra deri më tani. Duke qenë se nga nesër Italia merr presidencën e radhës së BE, ambasadori Gaiani tha se do të vijohet me prioritet që gjatë presidencës greke.
“Nga nesër Italia merr presidencën e radhës në BE. Programi gjatë presidencës italiane të BE do të prezantohet nga kryeministri Renzi. Do të vijojmë prioritetet e presidencës greke, si dhe do fokusohemi tek zgjerimi i BE. Është me rëndësi për ne, roli i Europës në botë, dhe këto procese do konkludohen me zgjerimin në Ballkanin Perëndimor”, tha Gaiani.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)