Nishani si PD: Dy prioritete për
2017, zgjedhjet e lira e kanabisi

Nishani si PD: Dy prioritete për<br />2017, zgjedhjet e lira e kanabisi
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka mbajtur sot një pritje në Pallatin e Brigadave, me rastin e Ditës së Flamurit, festës kombëtare të Pavarësisë.

Kreu i Shtetit e ka vënë theksin në fjalimin e tij te sfidat e vitit të ardhshëm, të cilët sipas tij mbeten zgjedhjet e lira dhe të ndershme në 2017-ën dhe lufta ndaj kultivimit të kanabisit, çështje kjo e ngritur me insistim nga Partia Demokratike muajt e fundit. 

"Periudha në vijim është një periudhë me dy prioritete të mëdha, zgjedhje të lira dhe të ndershme qershorin e ardhshëm dhe lirimin e vendit kanabisit, kjo murtajë që rrezikon të sotmen dhe të nesërmen, ne të fëmijët tanë, politikën dhe shtetin, demokracinë dhe integrimin.
 
Në cilësinë e Presidentit i ftoj palët politike në vend që sa më shpejt të bëjmë reformën zgjedhore, duke korrigjuar defektet dhe konsoliduar infrastrukturën zgjedhore. Vendi e ka të pamundur të ballafaqohet me zgjedhje të cenuara, e kemi jetike",
u shpreh Nishani. 

Ai theksoi se hapja sa më parë e negociatave të anëtarësimit do të jetë një hap cilësor në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

"Hapja e negociatave do të na çelë derën për të ecur në rrugën e gjatë të reformave të thella, ndoshta edhe të dhimbshme, por të domosdoshme për t'u bërë pjesë e BE. Mbetet i rëndësishëm angazhimi, përkushtimi, veprimi i pandalshëm i shoqërisë shqiptare dhe aktorëve të saj, në përmbushje të standardeve të kërkuara. Shqiptarët nuk do të lodhen kurrë në këtë përpjekje dhe në këtë rrugëtim", tha Nishani.

Gjatë fjalimit të tij bëri edhe një lapsus, kur tha se pak ditë më parë Papa Françesku shenjtëroi 39 priftërinjtë katolikë shqiptarë, ndërkohë që bëhet fjalë për lumturimin e tyre. 

"Ende nuk jemi ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Shenjtërimi i 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku na kanë nxitur për të reflektuar. Shteti shqiptar duhet të gjejë sa më parë formulën për t'i shpallur ata dhe të gjithë viktimat e diktaturës, të pafajshëm", tha Nishani. 

Mesha për lumturimin e 38 klerikëve fetare u mbajt në Shkodër në 11 Nëntor të këtij viti, ku morën pjesë mijëra qytetarë si dhe i dërguari i Papa Françeskut, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato. 

Lumturimi i martirëve të fesë erdhi pas shpalljes Kardinal të priftit Ernest Troshani dhe shenjtërimit të bamirëses shqiptare, Nënë Tereza. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Zjarr në ndërtesën historike në qendër të Londrës

VIDEO/ Zjarr në ndërtesën historike në qendër të Londrës