Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përcolli sot mesazhin e urimit për mirësi, më shumë begati, më shumë harmoni për të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

“Marrëdhënia e shqiptarëve me Bektashizmin ka qenë gjithmonë një marrëdhënie magjepsëse, shumëdimensionale, sa shpirtërore, shoqërore, edhe utilitare. "Sot bashkohem me ju në këtë festë të bukur, nga më interesantet, nga më të bukurat marrëdhënie të një populli me një besim" thekson në mesazhin e tij Presidenti Nishani.

Kreu i shtetit shprehet se ”Bektashizmi i ka shërbyer në shekuj shqiptarëve si çimento lidhëse për të bërë të mundur drejtpeshimin shpirtëror përbrenda vetes, sa edhe për të ruajtur ekuilibrat, me njëri-tjetrin si dhe mes Bektashizmit dhe besimeve të tjera.

Përqafimi i Bektashizmit prej shqiptarëve nuk është thjesht çështje misionarësh të zotë që u nisën prej diku e mbërritën diku tjetër për të përhapur një besim. Në themel të kësaj dukurie mrekullibërëse janë një numër cilësish të përbashkëta mes Bektashizmit dhe shqiptarëve.

Disiplina dhe toleranca, kryelartësia dhe përulja, aftësia për të qenë në të njëjtën kohë edhe pjesë e diçkaje më të madhe edhe diçka e mëvetëshme, janë disa prej këtyre cilësive. Popullarizimi i Bektashizmit ndër shqiptarë është rast i rrallë i një përshtatshmërie perfekte për t’u zhvilluar, begatuar e përsosur përmes peripecive mundonjëse dhe vuajtjeve të shumta.”- thuhet në mesazhin e presidentit.

(sg/shqiptarja.com)