REAGON UNIONI I GAZETAREVE, ÇIPA: TE HETOHET NGJARJA
Në lidhje me sulmin ndaj gazetarit Habjon Hasani ka reaguar ditën e sotme edhe Unioni i Gazetarëve. Kreu i këtij unioni, Aleksandër Çipa u shpreh se kjo është dhunë e ushtruar për shkak të detyrës dhe institucionet shtetërore duhet të hetojnë ngjarjen.
“Ne kemi denoncuar aktin e dhunës barbare të ushtruar në mjedisn e një redaksie të rëndësishme siç është ajo e gazetës SHQIPTARJA.com dhe sidomos dhunën fizike të ushtruar ndaj një reporteri, që është evidentuar në realitetin profesional si i kurajshëm dhe qëmtues i kauzave të korrupsionit dhe abuzivizmit. Kishim kohë që në kronikën e kërcënimeve të gazetarëve mungonin rastet e dhunës fizike, por rikthimi i tyre në një kontekst ku mesa duket situata elektorale e motivon na lë të dyshojmë që autoritetet duhet të jenë profesionale në çdo detaj sidomos në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kjo është një dhunë e ushtruar për shkak të detyrës dhe si e tillë duhet të angazhojë të gjitha institucionet shtetërore, sidomos Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë për ta hetuar me intensitet ngjarjen”, tha Çipa.