Kanë nisur përgatitjet e kantierit për restaurimin e Xhamisë së Muradies në Vlorë, një prej monumenteve më të rëndësishme të arkitekturës osmane në Shqipëri.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, i cili shkruan se projekti është hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) dhe synon ruajtjen dhe restaurimin e monumentit, duke respektuar vlerat e tij historike, arkitekturore dhe kulturore.

"Kanë nisur përgatitjet e kantierit, nën mbikëqyrjen e DRTK Vlorë, për restaurimin e Xhamisë së Muradies, një prej monumenteve më të rëndësishme të arkitekturës osmane në Shqipëri. Projekti, i hartuar nga IKTK në bashkëpunim me TİKA, synon ruajtjen dhe restaurimin e këtij monumenti me vlera të veçanta historike, arkitekturore dhe kulturore. Punimet do të nisin së shpejti sipas standardeve bashkëkohore të konservimit, duke respektuar autenticitetin e monumentit", shkruan ministri Gonxhja.