Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka njoftuar nisjen e punimeve për ndërtimin e bypassit të Elbasanit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe pamje nga punimet, Karakaçi ka shkruar se kjo rrugë do të jetë një autostradë e kategorisë A, sipas të njëjtave standarde që është aktualisht sot rruga Tiranë-Elbasan.

Teksa ka theksuar se kjo vepër do të ofrojë standard europiane infrastrukturore, Karakaçi tha se investimi do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe do i japë zgjidhje problematikës së trafikut në zonë, dukë përmirësuar lëvizjen dhe sigurinë për qytetarët.

Reagimi i ministrit Karakaçi:

Kemi filluar punimet në bypassin e Elbasanit. Për ta konkretizuar është pjesa ku fillon hinka e autostradës Tiranë - Elbasan. Do të jetë autostradë e kategorisë A, sipas të njëjtave standardeve që është aktualisht sot rruga Tiranë-Elbasan.

I japim zgjidhje trafikut të krijuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sidomos gjatë sezonit turistik. Dy kontratat janë lidhur tashmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Segmenti i parë që fillon menjëherë aty ku përfundon rruga Tiranë - Elbasan tashmë ka filluar nga punimet.

Punimet janë duke ecur mirë për shkak se edhe kantieri është i hapur nga shpronësimet e bëra që më herët. Në këtë fazë jemi në 3 kilometrat e parë që përfundojnë diku te kombinati metalurgjik i Elbasanit, ndërkohë që kemi në prokurim po ashtu në vitin pasardhës pjesën vijuese deri afër Peqinit.

Pse ka rëndësi ky projekt? Kemi vazhdimin e autostradës Tiranë - Elbasan. Bëjmë ndarjen e trafikut ndërmjet pjesës juglindore të Shqipërisë dhe pjesës jugore të Shqipërisë, por po ashtu bëjmë ndërlidhjen ndërmjet autostradës Tiranë - Elbasan, bypassit të Elbasanit, si dhe dalim në vazhdimin e korridorit Elbasan - Qafë Thanë, duke i dhënë dhe një zgjidhje të integruar gjithë pjesës së trafikut në Shqipëri.