Zhaneta Beqiri, drejtoresha e qendrës ekonomike të zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve në Bashkinë e Tiranës thotë se këtë vit do të pranohen 2400 fëmijë në të gjitha çerdhet. Duke qenë se do të ketë shumë aplikime, ajo tregon se cilat do të jenë kategoritë prioritare.
"Në momentin e regjistrimit do respektohet absolutisht numri rendor që është në aplikim dhe do i jepet prioritet disa kategorive të prindërve që janë të punësuar, që nuk kanë mundësi që dikush ti mbajë fëmijët në shtëpi. Të prindërve që janë nëna kryefamiljare , të nënave vajza, familjet që janë në nevojë absolutisht është një shërbim publik dhe gjithmonë është në fokus politika sociale dhe fëmijët me nevoja të veçanta", shprehet Beqiri.
Beqiri thotë se për të aplikuar duhet që të dorëzohet një certifikatë personale e fëmijës si dhe një vërtetim pune i nënës ose babait.
Ndërkohë Bashkia e Tiranës po shikon mundësinë që të marrë edhe disa ambiente me qira për çerdhe të reja, pasi ka kërkesa të shumta.
"Jemi duke parë në zonat ku ka dendësi më të madhe të banorëve siç është njësia 5, njësia 6 në kombinat njësia 2 për të marrë ambiente çerdhesh me qira prandaj i filluam shpejt me periudhën e aplikimeve të shohim sa faktikisht është nevoja për çerdhe dhe gjatë këtij viti do aplikojmë dhe çerdhet e reja duke marrë ambiente me qira. Pavarësisht se do jenë ambiente me qira do jenë çerdhe që do kenë të gjithë infrastrukturën komfort standardeve", u shpreh Beqiri.
Lista e fëmijëve që do të pranohen në çerdhe do të shpallet në fund të muajit korrik.
Redaksia Online
(M.Ç/shhqiptarja.com)