TIRANE- Nisin reshjet e para të borës në Shqipëri. Korrespondenti i TvA1Report në Kukës raporton se mëngjesin e sotëm mali i Gjallicës në lartësinë 1 mijë e 200 metra mbi nivelin e detit është zbardhur nga flokët e borës. Trashësia e borës në zonat e thella të Kukësit shkon deri në 5 cm.

Sipas informacioneve të marra nga Prefektura e Kukësit por edhe nga banorët e zonave të thella,si në Arrën, Kalis, Shishtavec e Zapod reshjet e dëborës kanë rënë deri në afërsi të fshatrave por pa shkaktuar probleme në lëvizjen e banorëve dhe mjeteve.

Reshjet e dëborës në këto zona kanë mbërritur pas 5 ditësh me reshje shiu shoqëruar me erëra të forta e cila ka sjellë mjaft dëme tek banorët, ku rasti më tragjik u shënua në komunën Bujan të rrethit Tropojë, ku nga rrëshqitja e dherave u shemb një banesë dhe humbi jetën një e moshuar 70-vjeçare.

Dëme të tjera janë shënuar edhe në sistemin e rrjetit energjetik ku disa fshatra dhe 3 lagje të qytetit kanë vuajtur mungesën e energjisë elektrike nga avaritë e shkaktuara nga shtrëngatat dhe erërat.

Reshje bore raportohen dhe në zonat e thella të Dibrës. Meteologët parashikojnë që e gjithë java do të jetë me shira në të gjithë territorin e vendit.

Moti parashikohet me vranësira të ndërrueshme e të dendura, me reshje dhe shtërngata shiu, e pjesërisht edhe stuhi. Temperaturat në vendet malore pritet të jenë 5 dhe 13 gradë celcius, në vendet e ulta 10 dhe 19 gradë celcius dhe në bregdet 11 dhe 20 gradë celcius.
(sg/eç/shqiptarja.com)