TROPOJE - Kanë nisin ditën e sotme reshjet e para të dëborës në veri të vendit dhe me nisjen e tyre ka nisur edhe bllokimi i akseve rrugore, si dhe vështirësitë e automjeteve për të qarkulluar në këto akse.

Zona e Tropojës sot është mbuluar nga dëbora e cila deri tani ka arritur në trashësinë deri në 15 centimetra dhe aksi rrugor Bajram Curri-Krumë nuk është i kalueshëm pa zinxhirë.

Reshjet e dëborës po bien më një intensitet të lartë, çka e bën të pamundur ndërhyrjen e mjeteve për pastrimin e rrugëve.

Në aksin rrugor Bajram Curri-Krumë nuk ka të pranishëm as forca e Policisë Rrugore, por as punonjës apo mjete të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve për të mirëmbajtur këtë aks.

Rreshjet e dëborës janë prezente në qytetin e Bajram Currit por njëkohësisht edhe në qytetin e Krumës, në rrethin e Hasit ku trashësia e dëborës ka arritur në 15 centimetra.

Në lartësitë dhe në rrugët nacionale, sidomos Bajram Curri-Qafë Mali, Bajram Curri- Qafë Lushë, por edhe në qytetin e Krumës situata paraqitet mjaft problematike për lëvizjen e automjeteve për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, por edhe të mungesës të borëpastrueseve, hedhjes së kripës dhe e skorjes që sjellin për pasojë rrezikshmëri dhe pengesë në lëvizjen e udhëtarëve dhe shoferëve të automjeteve.

Nisin reshjet e para të dëborës në veri të vendit e me nisjen e tyre ka nisur edhe bllokimi i akseve rrugore si dhe vështirësitë e automjeteve për të qarkulluar në këto akse. Zona e Tropojës sot është mbuluar nga dëbora e cila deri tani ka arritur deri në 15 cm dhe aksi rrugor Bajram Curri-Krumë nuk është i kalueshëm pa zinxhirë.

Ndërsa në aksin Kukës-Tunel i Kalimashit situata ka qenë më e rënduar dhe makinat e mbetura në këtë aks janë të shumta ku mbi 20 kamionë dhe dhjetëra makina të vogla të papajisura me zinxhirë e kanë pasur të pamundur që të kalojnë rrugën edhe për shkak të ngricës së krijuar nëpër rrugë.

Reshjet e para të dëborës kanë nisur edhe në qarkun e Dibrës por deri tani situata nuk paraqitet problematike.

Ulja e temperaturave nën zero gradë në rajonin juglindor është shoqëruar dhe me reshjet e para të dëborës. Me një shtresë të hollë dëbore sot u mbuluan Qafa e Qarrit, Qafa e Zvezdës dhe Qafa e Thanës, por që nuk u bë pengesë për qarkullimin normal të mjeteve automobilistike.

Temperaturat nën zero po bëjnë evidente mungesën e druve të zjarrit nëpër shkolla, Qendra Shëndetësore, dhe institucione të tjera, për shkak të mosfurnizimit të tyre me dru zjarri nga komunat e bashkitë përkatëse.

Për të zhvilluar mësim në kushte normale nxënësit çojnë dru zjarri nga shtëpitë e tyre, ndërsa nëpër institucione vazhdon ngrohja me energji elektrike.

(eç/shqiptarja.com)