Nisja e shkollës, bashkia dhe policia masa për lehtësimin e trafikut! Balla: Gjoba për këdo që prish qetësinë pranë shkollave! Veliaj: Mjetet e rënda do të punojnë natën

Ministria e brendshme dhe bashkia e Tiranës do të vendosin sensorë zhurme për gjobitjen e drejtuesve të makinave luksoze që prishin qetësinë. Gjatë prezantimit të paketës së sigurisë në shkolla, ministri i brendshëm shprehu mbështetje politike për Erion Veliajn duke vlerësuar punën e bashkisë me ndërtimin e rikonstruksionin e shkollave të reja në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës do të kufizojë nga e hëna qarkullimin e mjeteve të transportit që furnizojnë pikat e shitjes nga ora 7 deri në 9 të mëngjesit për shkak të fillimit të vitit të ri shkollor.

 “Do të sigurohemi që orari 7 me 9 i dedikohet vetëm lëvizjes në shkolla. Gjithashtu, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 08:00 të darkës fadroma, betoniere, kamionë, trajlera, nuk do të lejohen, dhe të gjitha kantieret e Tiranës, siç e kemi zbatuar vitet e fundit, do duhet të punojnë pas orës 20:00 të darkës”, tha Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë.

Në takimin e mbajtur në palestrën e gjimnazit Sami Frashëri në Tiranë, ishte prezent edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili njoftoi se së shpejti pranë shkollave do të vendosen sensorë zhurme për të gjobitur drejtuesit e mjeteve luksoze që qarkullojnë aty në mënyrë të rrezikshme.

“Do vendosim aparatura në mënyrë automatike vlerësojnë zhurmën dhe përmes kamerave regjistrojmë targën dhe dua t’ju njoftojë sot që dhe Drejtori Rrumbullaku, që çdo lloj gjobe që të vendoset do i shkojë qytetarit në telefon”, tha Taulant Balla, Ministër i Brendshëm.

Balla adresoi edhe një mbështetje politike për kryebashkiakun e Tiranës, teksa evidentoi punën e bërë me shkollat duke iu referuar edhe akuzave të bëra nga opozita deri në sallën e parlamentit.

“Dua pikë së pari ta përgëzoj Erionin, për këtë shkollë kaq të bukur, që na bashkëveprim me qeverinë shqiptare dhe më organizatat partnere, i kanë bërë të mundur t’i japin Tiranës një shkollë të standardeve më të mira europiane. Dua që ta ndaj me ju, le të themi surprizën pozitive të faktit se e kam dëgjuar aq shumë dhe aq shpesh këtë historinë e shkollës “Ismail Qemali” në foltoren e Kuvendit, të gjithë atyre të “Sami Frashërit”, sepse shumë nga kolegët e mi dhe të Erionit kanë studiuar në këtë shkollë dhe nuk e di ku e gjenin frymëzimin që të vinin në foltoren e Kuvendit dhe të flisnin kundër kësaj bukurie infrastrukturore”, u shpreh Balla.

Balla dhe Veliaj prezantuan pikat e paketës së sigurisë në shkolla ku përfshihet lufta ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbajtja pa leje të armëve të zjarrit, armëve të ftohta, si dhe çdo vepër tjetër që cënon rendin dhe sigurinë. Këtë vit arsimor në Tiranë do të hapin dyert 10 shkolla të reja, të cilat iu shtohen 40 të tjerave të hapura vitin e kaluar.

M.T/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë